Prishtinë, 8 prill – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës të dalin më 19 maj në zgjedhjet lokale dhe të votojnë për kandidatët e tyre për kryetarë komunash.
Thirrja e Haradinajt pason pas vendimit të sotëm të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që të shpallen zgjedhje në komunat ku kryetarët e komunave, pjesëtarë të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, nëntorin e kaluar dorëzuan dorëheqjet për shkak të vendimit të Prishtinës të vendos taksë prej 100 për qind të importit nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Në publikimin e tij në Fejsbuk, Haradinaj ka ftuar subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje dhe apeloi deri te qytetarët të kontribuojnë në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Komunat e Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, dhe Mitrovicë e Veriut.
“Bëj thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet tona dhe standardet më të larta demokratike ndërkombëtare”, ka porositur Haradinaj.
Pas shpalljes së zgjedhjeve në katër komuna me shumicë të popullatës serbe, Lista Serbe ka publikuar se udhëheqësit e tyre, lidhur me situatën e re të krijuar, të mërkurën më 10 prill do të largohen në Beograd në konsultime me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe edhe krahas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave nga radhët e saja dhe vendimin e Kuvendit të Kosovës të veprojë si opozitë, megjithatë mbetet pjesë e koalicionit qeveritar në Kosovë dhe ministrat e saj vazhdojnë t’i mbajnë resorët në kabinetin e Haradinajt.