Fatos RUSHITI
Shkup, 4 tetor – Zgjedhjet lokale të 15 tetorit janë zgjedhjet e gjashta me radhë që nga pavarësimi i vendit, ndërsa të drejtë votë kanë gjithsej 1.814.644 votues. Janë 84 komuna sipas ndarjes territoriale të vitit 2004, ku partitë politikë konkurrojnë me kandidatë për kryetarë dhe lista për këshilltarë komunal, shkruan gazeta KOHA. Në 32 komuna ku jetojnë shqiptarët – në 16 prej tyre kryetarët janë shqiptarë, kurse në 16 të tjerat vendbanimet shqiptare janë pakicë si në Kumanovë me rreth 30%, ndërsa sipas një matematike të thjeshtë – nëse Likova do të ishte bashkuar me Kumanovën, shqiptarët do të ishin mbi 57 % shumicë në këtë komunë. Shqiptarët u ndanë duke iu bashkuar komunave me shumicë maqedonase si në Jegunovcë, Çashkë, Dollnen, Rekë e Epërme dhe Sopishtë – ndonëse janë fqinj me komunat me shumicë shqiptare. E vetmja gjë pozitive ndodhi në vitin 2012, ku katër komuna të vogla si ajo e Vraneshticës, Zajazit, Drugovës dhe Osllomejës u bënë pjesë të Komunës Kërçovë, me ç’rast numri i njësive të vetëqeverisjes lokale në Maqedoni u zvogëlua nga 85 në 81, ndërsa për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2013, Kërcova qeveriset nga një shqiptar – edhe atë nga Fatmir Deharin nga BDI. I njëjti ka gjasa të zgjidhet përsëri, ndërsa fitorja e tij kundrejt rivalit nga VMRO është lehtësuar sepse LSDM, duke lidhur bashkëpunim me BDI-në, nuk ka kandidat për kryetar ashtu sikurse të tria partitë shqiptare nuk kanë dalë më kandidat për kryetar. Nga pasqyra e përqindjes së shqiptarëve vërehet qartë se ndarja territoriale është tejet diskriminuese. Më e larta është Zhelina me 99.2% të shqiptarëve, ndërsa më e ulta Komuna e Ohrit me 5% shqiptarë. Në komunat tjera, Likova me 97.4%, Bogovina me 95%, Haraçina me 93%, Saraji me 91%, Tearca me 84%, Vrapçishti me 83%, Tetova me 70%, Studeniçani me 68%, Gostivari me 66%, Bërvenica me 61%, Dibra me 58%, Çairi me 57%, Struga me 56%, Kërçova me 54%, Jegunovca me 44%, Çashka me 35%, Sopishta me 34%, Dollneni me 26%, Buteli me 25%, Kumanova me 25%, Krusheva me 21%, Petroveci me 22%, Çuçer Sandeva me 22%, Reka e Epërme me 17%, Gazi Baba me 17%, Shutka me 11%, Resnja me 9%, Zhupa me 7%. Në tre palë zgjedhje – 2005, 2009 dhe 2013 fituese absolute tek shqiptarët me 15, gjegjësisht 14 komuna është BDI e Ali Ahmetit, ndërsa PDSH ka qeverisur Tetovën në mandatin e zgjedhjeve të vitit 2009, kurse Studeniçanin gjatë mandatit që po kalon të zgjedhjeve të 2013-së, derisa RDK qeverisi Gostivarin gjatë mandatit të vitit 2009. Për herë të parë në Maqedoni – zgjedhje lokale të mbajtura sipas standardeve ndërkombëtare ishin ato të vitit 2009, vlerësuar kështu nga bashkësia ndërkombëtare – BE dhe SHBA. Pas konfliktit të vitit 2001 dhe pas ndarjes së re territoriale, zgjedhjet lokale u zhvilluan më 13 mars të vitit 2005. Për herë të parë, në nivel lokal si lojtar politik u paraqit edhe BDI, partia e Ali Ahmetit, e cila fitoi kryetar komune në Gostivar, Dibër, Strugë, Tetovë, Haraçinë, Bërvenicë, Vrapçishtë, Zajaz, Bogovinjë, Likovë, Oslomej, Tearcë dhe Çair. Në këto zgjedhje, që ishin të parat pas ndarjes territoriale, fitoi LSDM me gjithsej 36 kryetarë të komunave, ndërsa VMRO-DPMNE fitoi 21 ulëse. Zgjedhjet lokale në muajin mars të vitit 2009 u organizuan dhe u zhvilluan së bashku me zgjedhjet presidenciale. Cikli zgjedhor lokal ishte debakël për LSDM-në, e cila fitoi vetëm në Debërcë, Karposh, Kumanovë, Novo Selë, Ohër dhe Strumicë. Numri i komunave të fituara u ul për 29 vende krahasuar me vitin 2005. Për dallim nga LSDM, VMRO fitoi në gjithsej 55 komuna. Në këto zgjedhje, në kolltukun e Qytetit të Shkupit u ul Koce Trajanovski. BDI në këto zgjedhje fitoi në 14 komuna, ndërsa PDSH fitoi Tetovën me kryetar Sadi Bexhetin, kurse RDK fitoi Gostivarin me kryetar Rufi Osmabin. Zgjedhjet lokale pasuese u zhvilluan më 24 mars dhe 7 prill të vitit 2013 dhe u mbajtën në një ambient më kompleks politik. Këto zgjedhje, LSDM-së i sollën humbje të katër komunave, ndërsa vazhdoi të dominojë vetëm në: Kumanovë, Strumicë, Qendër dhe Rankovcë. VMRO fitoi në 56 komuna, që është për një pozitë më shumë krahasuar me vitin 2009. BDI arriti ta mbajë kuotën e 14 komunave. Beteja interesante ishte në rrethin e dytë në Gostivar, kur kandidati i BDI Nevzat Bejta fitoi me diferencë të ngushtë ndaj Rufi Osmanit të RDK-së, gjegjësisht Bejta mori 19.348 vota, kurse Osmani 18.210. Beteja për Strugën ishte e nxehtë në rrethin e dytë edhe mes Ziadain Selës të PDSH-së dhe Vlladimir Koçoskin të VMRO-së. Sela fitoi 20.723 vota kundrejt Koçoskit me 14.659 vota. Marrë në përgjithësi, nga pesë ciklet zgjedhore në nivel lokal, në tre prej tyre ka fituar VMRO-DPMNE. Tani ka filluar numërimi deri në zgjedhjet e ardhshme lokale të tetorit, që sipas vlerësimeve dhe pritjeve, mund të sjellin shumë lëkundje të forcave politike në nivel lokal sidomos tek VMRO, kjo pasi në Qytetin e Shkupit, por edhe në qytetet tjera – LSDM llogarit shumë në votat e shqiptarëve, sidomos në rrethine dytë zgjedhor, konkretisht në komunat ku siç u cek më lartë – përqindja e shqiptarëve është relevante nga 5% deri në 44%. Sa i përket vlerësimit të vëzhguesve, në dy palë zgjedhjet lokale – ato 2009-ës dhe 2013-ës u zbatuan në atmosferë të qetë, me parregullsi të caktuara në disa vendvotime. Vërejtjet kryesore kanë të bëjnë me të dhënat për frikësimin e votuesve, keqpërdorimin e resurseve shtetërore dhe me sjelljen arbitrare të një pjese të madhe të mediave. Partitë në pushtet zgjedhjet i vlerësuan si të ndershme dhe demokratike, ndërsa për partitë opozitare – këto zgjedhje ishin jolegjitime. Ndryshe, në zgjedhjet e 15 tetorit – që po llogaritën si ndër më të rëndësishmet pas krizës së zgjatur politike, Qeveria e Maqedonisë ka përgatitur një sërë masash për mbarëvajtjen e rregullt dhe pa incidente të tyre, ku njëra ndër to është edhe mosshfrytëzimi i resurseve shtetërore për interesa politike gjatë zgjedhjeve duke paraparë dhe mundësitë për dënime në të holla.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.