Arjen Roben është një nga mesfushorët e krahut më të mirë në Europë. Futbollisti holandez nuk di të ndalet pavarësisht moshës së tij, duke zhvilluar ndeshje të një niveli të lartë sa herë i kërkohet nga ekipi bavarez.
Por më parë, mesfushori i Bajernit ka qenë në organikën e ekipit të Real Madridit. Megjithatë në një intervistë për portalin e “UEFA-s”, Roben është shprehur se nga periudha kur luante për Real Madridin, nuk ka shumë kujtime të bukura.
“Në fillim zgjedhja ime mu duk si një hap mbrapa në karrierë. Kjo pasi Bajerni nuk ishte në formën e duhur gjatë atyre viteve dhe unë dëshiroja të arrija maksimumin, duke luajtur në nivelet më të larta të futbollit. Kjo nënkuptonte faktin e të triumfuarit edhe në “Champions League”.
Zgjedhja ime ishte e vështirë pasi isha duke luajtur për një nga klubet më të mira në Europë, Real Madridin. E dija shumë mirë se nëse do të ikja, nuk do të kishte një kthim pas. Por trajner në atë kohë tek Bajerni ishte Van Gali dhe të shkoja atje, ishte për mua zgjedhja më e mirë në karrierë”, është shprehur Roben.