Shkup, 18 janar – Zgjedhja e furnizuesit universal me energji elektrike do të përfundojë shumë më herët se sa që është planifikuar me Ligjin për furnizime publike, paralajmëroi sot kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) Marko Bislimovski.
“Unë jam një nga anëtarët e komisionit i cili punon në evaluimin e ofertave. Gjatë javës së ardhshme do të dihet se kur do të fillojë ankandi dhe kur do të përfundojë i gjithë procesi. Do të përfundojë shumë më herët se afati prej 80-të ditëve që ishte caktuar pas shpalljes së ofertave më 13 dhjetor të vitit të kaluar. Besoj se kah fundi i këtij muaji ose fillimi i muajit të ardhshëm do të ketë ankand në të cilin dy kompanitë EVN Furnizim dhe ELEM Trejd do të japin oferta përkatëse”, deklaroi Bislimovski.
Ai precizon se në ankand do të fillojnë nga oferta më e ulët prej 14,4 për qind që fillimisht e dha EVN Furnizim.
Kryetari i KRRE theksoi se për momentin nuk ka interesim të madh nga furnizuesit për oferta për amvisëri edhe pse liberalizimi i plotë i tregut të energjisë elektrike filloi nga 1 janari i këtij viti.
“Furnizuesit ende nuk shfaqin interes për amvisëritë, por shkaku themelor për këtë është rritja e çmimeve në tregun rajonal të energjisë elektrike. Duke pasur parasysh se amvisëritë në këtë moment kanë çmim prej 73 deri në 74 euro për një megavat orë përderisa në tregun e lirë si edhe në tregun rajonal vetëm çmimi furnizues pa përfshirjen e rrjetave është rreth 70 euro, absolutisht nuk ka interesim nga furnizuesit që të ofrojnë diçka për të cilin dihet përpara se mund të jetë shumë më shtrenjtë. Shpresoj se me rënien e çmimeve në tregjet, veçanërisht në tregun rajonal, furnizuesit do të shfaqin interesim që të ofrojnë pako për amvisëri”, tha Bislimovski.
Theksoi se furnizuesit në përgjithësi për momentin janë të drejtuar drejtë konsumatorëve komercialë ku, siç tha, realisht do të ketë ulje të shpenzimeve të tyre për energji elektrike.
“Kompanitë shfaqin interesim për dalje në tregun e lirë, por në shkurt ose mars do të mund ta shohim portfolion e furnizuesve se a është rritur. Pritjet tona janë se do të rritet”, theksoi Bislimovski.
Pret që në vijim të muajit të ardhshëm të përfundojë përpunimi i Studimit në ASHAM për furnizim me energji të ngrohjes, që, potencon, do të shfrytëzohet si bazë për përpunim të rregullave të reja për furnizim me energji të ngrohjes që do të sillen menjëherë.
“Shfrytëzuesit të cilët rregullisht i paguajnë faturat e tyre në asnjë mënyrë nuk do të dëmtohen me rregullat e reja për furnizim me energji elektrike, sepse nuk është korrekte që konsumatorët korrektë ta bartin barrën për ata që ishin larguar nga sistemi. Sido që të vendosim për konsumatorët e larguar, kjo nuk do të jetë në barrë të konsumatorëve të tjerë”, potencon Bislimovski.