Shteti pritet të intervenojë dhe të hyjë në borxh në varësi prej përhapjes së koronavirusit, apo në varësi prej skenarëve afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të dëmeve që do të shkaktojë koronavirusi ndaj ekonomisë. Kostoja financiare, sipas ekspertëve, mund të jetë dy miliardë euro
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 prill – Shteti pritet të intervenojë dhe të hyjë edhe në borxh në varësi prej përhapjes së koronavirusit, apo në varësi prej skenarëve afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të dëmeve që do të shkaktojë koronavirusi ndaj ekonomisë. Sipas numrit të parë të financave në vend, Nina Angellovska, tani askush nuk po flet për deficitin e borxhit publik, por për shpëtimin e ekonomisë nga goditjet që po shkaktohen nga kriza, shkruan gazeta KOHA. “Tani është qëllimi që të ruajmë ekonominë e brishtë, të mos e vendosim në aparatin respirator, por të shtypim butonin për pauzë me masat, me qëllim që kur të vazhdojë , të vazhdojë edhe periudha e rimëkëmbjes. Nga ana tjetër sa më e gjatë është periudha e karantinës, dhe e sistemit të mbrojtjes së qytetarëve, aq më e gjatë do të jetë edhe periudha e rikuperimit”, shton Angellovska. Sipas saj, në këto kushte prioritet është të sigurohet funksionimi i rregullt I sistemit shëndetësor dhe mbrojtjes sociale , të sigurohet likuiditeti i kompanive dhe mbajtja e vendeve të punës.
Lidhur me kërkesat e Odave Ekonomike për ndihmë, ajo shton se disa kërkesa në raport me ndihmën e shtetit nuk mund të jenë listë dëshirash, për shkak se në to, sipas saj, mungon vetëm edhe kërkesa që shteti të paguajë edhe K15 apo kompensimin për pushimin vjetor. Nuk do të jetë e lehtë që tani në treg të gjenden të holla me shkallë të kamatave që kanë mundur të jenë më të ulëta në raport me pesë muaj më parë, andaj ne po adaptohemi me situatën e re dhe shikojmë të bëjmë më të mirën të mundur.
“Për shkak të krizës korona pritet që të ardhurat në buxhet të ulen ndërmjet 20 dhe 40 për qind, që do të sjellë një gropë në arkën e shtetit ndërmjet 700 milionë euro dhe 1.3 miliardë euro së bashku me deficitin e planifikuar prej 300 milionë euro. Për të gjitha këto skenarë, ekzistojnë edhe skenarë tjera për financimin e tyre”, shton më tej Angellovska. Në ndërkohë, ekspertët ekonomikë sugjerojnë që shteti të hyjë në borxh prej së paku dy miliardë euro me qëllim që më lehtë të kapërcejë dëmet që do të shkaktojë kjo pandemi. “Gjysma e këtyre të hollave do të shkonte për shëndetësinë dhe administratën, ndërsa gjysma tjetër për kompanitë private në formë të kredive me kamata të ulëta prej 0.5 për qind dhe afate të gjata të pagesës prej së paku dhjetë vitesh”, thotë eksperti Goran Rafajllovski.
Në ndërkohë, në shtetet evropiane kanë filluar debatet për një plani veprimi lidhur me ndihmën financiare për rikuperimin e ekonomisë nga pasojat e koronavirusit. Nga njëra anë, natyra e pandemisë nënkupton se e të gjitha shtetet e BE-së do të preken pa përjashtim , duke pësuar një recesion të rëndë, papunësi më të lartë, industri të paralizuara dhe një borxh shumë më të madh. Andaj edhe në nivel të BE-së, janë pezulluar rregullat e deficitit, ndërsa Banka Qendrore Evropiane ka lëshuar rreth 750 miliardë euro për të stabilizuar tregjet. Gjithashtu, ekziston shqetësim lidhur me mundësinë e mbështetjes afatgjate financiare. Sipas Mario Kenteno, ministrit portugez të financave që drejton takimet e homologëve të tij të eurozonës, mënyra se si Evropa merret me boshllëqet financiare të mbetura nga virusi , përcakton formën dhe shtrirjen e rimëkëmbjes dhe, në fund të fundit, kohezionin e eurozonës. Kohë më parë, kryeministri spanjoll Pedro Sançez bëri thirrje për një Plan Marshall për investime publike që do të ishte “mobilizimi më i madh i burimeve ekonomike dhe materiale në histori”. Ai gjithashtu mbrojti me forcë borxhin e përbashkët në formën e të ashtuquajturave lidhje koronare, të çilat u mbështetën nga drejtuesit e tetë vendeve të tjera evropiane, përfshirë Francën dhe Italinë.
Një instrument i tillë do të lehtësonte presionin ndaj vendeve me shumë borxh si Italia dhe, në një masë më të vogël, Spanja dhe Franca. Kjo do të zvogëlonte rrezikun që ata të mos ishin në gjendje të mbledhin para në treg pasi të kishin huazuar jashtëzakonisht shumë për t’u marrë me virusin. Sidoqoftë, Gjermania dhe Holanda e kundërshtojnë atë. Në përpjekje për të kapërcyer hendekun midis dy palëve, Franca ka propozuar krijimin e një fondi të përkohshëm të rimëkëmbjes ekonomike i cili do të zgjaste pesë deri në 10 vjet posaçërisht për të mbështetur vendet përmes pandemisë. Të tjerë propozojnë të përdorin buxhetin afatgjatë të BE-së, mjetin kryesor të transferimeve të drejtpërdrejta fiskale nga vendet më të pasura në vendet më të varfra, i cili është gati për negociata këtë vit. (koha.mk)