Ministri i Ekonomisë së Republikës së Turqisë Nihat Zeybekci, sot në Ankara tha se vendi i tij vitin 2017 do ta përmbyllë me rritje ekonomike shumë më të lartë se 6 për qind, si dhe me rritjen e eksporteve nga 11 në 12 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).
Zeybekci ishte mysafir i panelit editorial të AA në Ankara, dhe me këtë rast komentoi zhvillimet në fushën ekonomike dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nga të gjitha anët e botës.
Duke folur për lëvizjet e kursit të lirës turke, Zeybekci theksoi se kjo është një lëvizje e përkohshme.
“Mendoj se kjo është një lëvizje e përkohshme, së bashku do të shohim. Nuk e shoh të arsyeshme ndërhyrjen e Bankës Qëndrore në trendet spekulative të tregut. Nuk duhet të preken dhe nuk duhet të ndërhyjnë. Ky është reagimi më efektiv ndaj lëvizjeve spekulative. Lëvizjet aktuale në kursin e këmbimit me siguri nuk janë reale”, Zeybekci tha.
Duke folur për ekonominë globale, Zeybekci theksoi se vlera ekstreme e dollarit nuk është e mirë dhe e qëndrueshme për ekonominë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Ne aktualisht i besojmë vetes tonë, ne i besojmë vendit tonë”, tha Zeybekci, duke theksuar se ekonomia turke ka rezultate shumë të mira.
“E gjithë bota pranon se Turqia do të shënojë rritje ekonomike shumë më të lartë se 6 për qind këtë vit dhe e gjithë bota është e vetëdijshme se Turqia do ta përmbyllë këtë vit me një rritje të eksportit prej 11 deri në 12 për qind, gjë që është një rezultat historik për ne”, tha Zeybekci.