Me 60 vjet e 198 ditë, Brunswijk u bë lojtari më i vjetër që ka luajtur në një garë ndërkombëtare të klubeve. Në fakt, Brunswijk e tejkalon edhe Konfederatën e Futbollit të Amerikës së Veriut
Zëvendëspresidenti i Surinamit, Ronnie Brunswijk ka debutuar në futbollin profesionist në moshën 60-vjeçare, kanë njoftuar të mërkurën mediumet e huaja. Brunswijk ishte titullar dhe luajti për 54 minuta te Inter Moengotapoe kundër Olimpias në kuadër të ndeshjes së parë të 1/8 të finales të CONCACAF-it. Këtë ndeshje, që Inter Moengotapoe e humbi me rezultatin e thellë 6:0, Brunswijk që është edhe pronar i klubit, e barti shiritin e kapitenit gjatë kohës sa ishte në fushë. Mbi të gjitha, kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin që e mban emrin e tij dhe Brunswijk po ashtu luajti përkrah të birit të tij, Damianit 21-vjeçar në repartin e sulmit. Brunswijk barti fanellën me numrin 61, ndërsa i biri atë me numrin dhjetë. Xhirimet televizive kanë treguar se Brunswijk nuk ka lëvizur shumë në fushë, pasi ai kryesisht ka bërtitur duke iu dhënë instruksione lojtarëve të tjerë dhe për një moment ishte nervozuar pasi njëri prej tyre nuk ia kishte pasuar topin.
Megjithatë, raporti i ndeshjes bëri të ditur se Brunswijk për kohën sa ishte në fushë, ka kompletuar 14 prej 17 pasimeve sa i pati në garën e Amerikës së Veriut, e cila është e barabartë me Ligën e Evropës. Me 60 vjet e 198 ditë, Brunswijk u bë lojtari më i vjetër që ka luajtur në një garë ndërkombëtare të klubeve. Në fakt, Brunswijk e tejkalon edhe Konfederatën e Futbollit të Amerikës së Veriut. Brunswijk ka lindur më 7 mars të vitit 1961, ndërsa konfederata e themelua më 18 shtator të vitit 1961. Ai është pronar i klubit Inter Moengotapoe prej vitit 2002, kurse ka ndihmuar në ndërtimin e stadiumit “Ronnie Brunswijkstadion”, që ka një kapacitet prej pesë mijë ulëseve. Në vitin 2005, Brunswijk ishte i suspenduar për shkak se kishte kërcënuar një lojtar me armë gjatë ndeshjes, i cili iu hoq për shkak të mungesës së provave përpara se të marrë një suspendim tjetër në vitin 2012 për shkak të fyerjes së arbitrit.
Brunswijk është i njohur në Surinam për shkak të jetës interesante që e ka pasur, ndërsa është zëvendëspresident i këtij vendi prej vitit të shkuar. Ai ishte një udhëheqës rebel që krijoi Ushtrinë Çlirimtare të Surinamit, të njohur më mirë si “Komando e Xhunglës” në vitin 1985, ndërsa luftonte për të drejtat e pasardhësve afrikanë. Ai ishte pjesë e një lufte civile që zgjati nga viti 1986 deri në nënshkrimin e traktatit të paqes në vitin 1992, me Brunswijk që mbeti aktiv në politikë në atdheun e tij që atëherë. Në fakt, pavarësisht se është zëvendëspresident i Surinamit, Brunswijk prej vitit 1999 është i ndjekur penalisht nga Holanda për trafikim droge në Evropë dhe ka urdhër aktiv nga Interpoli për arrestim, ndonëse nuk është në listën e kuqe. Krahas trafikimit të drogës, ai në vitet ‘80 ka qenë edhe plaçkitës i bankave. Brunswijk ka një pasuri të madhe dhe në Surinam ka një reputacion të humanistit pasi vite më parë shpërndante para nga helikopteri për mbështetësit e tij. Gjithashtu, ai është edhe baba i të paktën 50 fëmijëve në Surinam.