Shkup, 11 shtator – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski, sot qëndroi për vizitë pune në krahinën federale gjermane Bavari, me ftesë të kryetarit të Komisionit për çështje evropiane në Parlamentin bavarez.
Në suaza të vizitës, siç informoi MPJ-ja, Zhernovski ka informuar për rezultatet e arritura në aktivitete e reformave të agjendës evropiane të Maqedonisë së Veriut, për ngjarjet e brendshme politike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Zhernovski ka realizuar edhe disa takime me deputetë nga Parlamenti bavarez, ku është theksuar rëndësia e marrjes së vendimit për datën për fillimin e negociatave parainkuadruese me Bashkimin Evropian në tetor të këtij viti.
“Perspektiva evropiane për Republikën e Maqedonisë së Veriut është motor për ndryshime pozitive. Vendimi në tetor është i rëndësishëm për ne. Data për fillimin e negociatave do të jetë sukses i përbashkët, i Maqedonisë dhe i Evropës”, theksoi Zhernovski në takimet, bëri të ditur MPJ-ja.
Zëvendësministri ka theksuar se kjo Qeveri është e fokusuar në reformat, që ta bëjë shtetin stabil dhe të sigurt, anëtare të NATO-s dhe BE-së, ekonomikisht të fortë, ku të rinjtë do ta njohin shansin e tyre dhe do të jenë qytetarë me standard dinjitoz jetësor.
Zhernovski ka realizuar takim edhe me ministrin e Ekonomisë së Bavarisë, Hubert Aivanger, ministrin e Mjedisit Jetësor, Torsten Glauber dhe ministrin e Arsimit Mihail Pazolo, ndërsa në pjesë të madhe të takimeve janë përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh me Bavarinë.
Në këtë kontekst, siç theksohet në kumtesë, është biseduar edhe në Komisionin e përbashkët të Maqedonisë së Veriut – Bavari, si mundësi e shkëlqyer për thellimin e bashklëpunimit ekonomik, si dhe për shfrytëzimin e potencialit të madh investues që kjo krahinë e zhvilluar dhe prosperuese gjermane e ka.