Shkup, 4 maj – Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, sot mori pjesë në konferencën e tretë ndërkombëtare kushtuar shkencave shoqërore dhe humane, organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup.
“Ngjarjet e këtilla janë një mundësi e mrekullueshme që të nxjerrim në pah rëndësinë e shkencave shoqërore – humane dhe njerëzve të cilët zgjedhin që të edukohen dhe punojnë pikërisht në këtë disiplinë”, tha Ademi, duke potencuar se, megjithëse kohëve të fundit në tregun global të punës, nevoja për kuadër teknik vazhdimisht rritet, megjithatë asnjë vend nuk mund të ekzistojë dhe të zhvillohet pa zhvillim të vazhdueshëm të procesit edukativo arsimor, pa funksionimin e të drejtës, të mbrojtjes sociale, pa krijimin e politikës për zhvillim demografik, të politikës ekonomike si dhe pa një klimë të mirë të biznesit.
Prandaj, në çdo shtet, institucionet e sistemit duhet vazhdimisht t′i kushtojnë vëmendje ruajtjes së interesit për shkencat shoqërore dhe humane si dhe nxjerrjen e kuadrit adekuat dhe cilësor prej të cilit varet ardhmëria e një shoqërie u shpreh zëvendësministri Ademi.