Shkup, 12 shtator – Zëvendëskryeministri i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, nesër për vizitë pune do të qëndrojë në Mbretërinë e Suedisë, ku do të mbajë takime pune me Ministrin e Punëve të Jashtme, Hans Dalgren, Ministrin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim, Piter Erikson, si dhe me Kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Andreas Norlen.
Tema qendrore e takimeve, siç njoftoi Kabineti i Osmanit, do të jenë perspektivat evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në prag të vendimit për fillimin e negociatave në tetor të këtij viti, si dhe do të diskutohet edhe bashkëpunimi zhvillimor bilateral si dhe bashkëpunimi parlamentar mes dy vendeve.
Në agjendën e Zëvendëskryeministrit Osmani për periudhën që pason janë paraparë edhe vizita në metropolet e vendeve anëtare të BE-së, duke filluar nga Brukseli, në fillim të javës së ardhshme, pas së cilës do vijojnë vizitat në Berlin, Varshavë etj.