Zëvendës kryeministri bullgar Valerij Simeonov mbrëmë dha dorëheqje, pasi ishte i eksponuar ndaj presionit që të tërhiqet nga funksioni për shkak të ofendimeve të drejtuara ndaj aktivistëve për mbrojtjen e personave me nevoja të posaçme.
“Jap dorëheqje për shkak të fushatës së vazhdueshme mediale kundër meje. Kjo fushatë e dëmton autoritetin e Qeverisë dhe u bë pengesë për punën e saj normale”, deklaroi Simeonov në konferencë për shtyp në Sofje, ku e paralajmëroi dorëheqjen e tij.
Ai theksoi se nuk ka mundur të lejojë të vazhdojë situata e tillë dhe për këtë shkak ka vendosur të tërhiqet.
“Nuk bëhet fjalë për mua ose për partinë në krye të së cilës jam, këtu bëhet fjalë për Qeverinë, për të cilën konsideroj se është shumë e suksesshme”, shtoi Simeonov.
Ai theksoi se kryeministri bullgar Bojko Borisov nuk ka kryer presion ndaj tij që të japë dortëheqje.
Siç njoftoi BTA, Borisov e ka pranuar dorëheqjen e zëvendësit të tij.