Personat me aftësi të kufizuara, gratë dhe rinia janë tri kategori të shoqërisë që ndër vite luftojnë të jenë sa më të përfaqësuar në listat për deputet. Edhe pse ka lëvizje megjithatë përfaqësimi i tyre është simbolik apo inekzistent
Destan JONUZI
Shkup, 25 janar – Personat me aftësi të kufizuar, gratë dhe rinia ndër vite, janë tri kategori të shoqërisë që bëjnë betejën e tyre shoqërore për tu përfshirë në listat e kandidatëve për deputetet të partive politike. Ata thonë se vullneti nuk mungon, por realiteti fletë se ata ende janë simbolikisht të përfaqësuar ose fare nuk janë të pranishëm në shtëpinë ligjvënëse. Sefer Hiseni – kryetar i Shoqatës së Invalidëve “Shpresa” për KOHA deklaroi se partitë politike shqiptare pa përjashtime kanë ofruar përfshirjen e tyre në listat për deputet, por shton se problemi i tyre nuk është etnik, është shoqëror. Ai thekson se po luftojnë që të kenë një deputet në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit, me qëllim që të dëgjohet edhe zëri i tyre aty ku merren vendimet.
“Ka iniciativa dhe mbetet të merremi vesh se kush mund të përfaqësojë edhe këtë kategori njerëzish. Të gjitha paritë shqiptare na kanë ofruar pjesëmarrje në listat zgjedhore për deputet. Nuk mund ta mohojë këtë. Kjo është një hap pozitiv ndaj kësaj kategori. Jemi duke shqyrtuar mundësinë e inkuadrimit në listat për deputet. Kategoria jonë nuk ndahet në bazë etnike. Problemet janë të njëjta, kështu që nuk preferojë ndarjen etnike”, deklaroi për KOHA, Hiseni. Ai shprehet se janë të interesuar që një person nga kategoria e tyre ti përfaqësojë në Parlament, qoftë maqedonas ose shqiptar.
Nga ana tjetër, deputetja Gjylimsere Kasapi, thekson se për përfaqësimin e grave në listat e deputetëve 50 me 50 për qind, iniciativën e kanë nënshkruar 80 deputet. Ndërkohë që edhe pa u bë obligim ligjor kjo normë, partia e saj LSDM do ta aplikojë atë në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit. “Iniciativa për përfaqësimin e grave me 50 për qind në listat për deputet është hartuar vitin e kaluar në kuadër të Klubit të Deputeteve. Iniciativa ka marrë mbështetjen e 80 deputetëve me nënshkrimet e tyre, në mesin e të cilëve ka edhe deputet burra. Por, iniciativa nuk është nënshkruar nga deputetet e VMRO-së dhe BDI-së”, deklaroi për KOHA, Kasapi.
Ajo sqaron se Propozim-ligji që rregullon përfaqësimin e grave me 50 për qind në listat për deputet dhe listat për këshilltarë komunal, edhe pse ka 88 nënshkrime, ende nuk është dorëzuar në Parlament. “Propozim-ligji ende nuk është arkivuar në Parlament, pasi shpresojmë në konsensus nga të gjitha partitë parlamentare. Iniciativa është nga fillimi i këtij mandati dhe të gjitha deputetet, anëtare të Klubit, janë të interesuara, por, LSDM ka vendosur që në këto zgjedhje, në listat zgjedhore partiake të vendosë femrën 50 për qind”, informon Kasapi.
Ndërkohë, gazeta KOHA mëson se për çështjen e përfaqësimit të grave me 50 për qind ka një marrëveshje politike mes LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI-së që kjo zgjidhje të shkojë në pako së bashku me ndryshimet e modelit zgjedhor të diskutohen pas zgjedhjeve të 12 prillit. Edhe përfaqësimi i të rinjve në listat për deputet nga pavarësimi i Maqedonisë e këndej është simbolik. Por, nga BDI-ja e Ali Ahmetiti thonë se që nga themeli e deri më sot i kanë dhënë rëndësi të jashtëzakonshme pjesëmarrjes së rinis në institucionet vendimmarrëse. “BDI gjithnjë i ka dhënë hapësirë rinisë. Ka pasur kryetar komunash, deputet madje edhe ministra nga forumi rinor. Të mos flasim për instanca tjera. Në këtë frymë do të jetë edhe në të ardhme vizioni i BDI-së për rinin”, thonë nga BDI-ja.
Omer Ajdini kryetar i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (ASH) potencon se të rinjtë, si çdo anëtarë i Aleancës, me statut kanë të drejtë të jenë kandidat për deputet. “Të gjithë anëtarëve e Forumit Rinor të cilët gëzojnë mbështetje dhe kanë dëshmuar kapacitete besojë se do u jepet mundësia. Nuk kemi kuota për lista për deputet, pra është garë e hapur ku të rinjtë nuk janë të kufizuar në ndonjë për qindje të caktuar me të cilën do të përfaqësoheshin nëpër lista”, deklaroi për KOHA, Ajdini. Edhe Liridon Useini kryetar i Forumit Rinor pranë Lëvizjes BESA thotë se rinia ka rol vendim marrës në Lëvizjen BESA dhe përfshirja e tyre në lista është i natyrshëm. Ndryshe, zgjedhjet parlamentare të 12 prillit pritet të shpallen zyrtarisht më 12 prill atëherë kur edhe shpërbëhet parlamenti.
MANASTIRI KËRKON DEPUTET
Sibela Alimovska kryetar e Organizatës “Kongresi i Manastirit”, duke folur për kuotën 50 për qind të përfaqësimit të grave në listat për deputet thotë se në këtë drejtim do të ishte mirë që “akulli” të thyhet me një deputet nga Manastiri, që do të ishte zëri i shqiptarëve në Parlament. “Vite me radhë në Maqedoni në listat për deputet, femra shqiptare ka qenë e përfshirë simbolikisht. Përfshirja sipërfaqësore nuk ka qenë e mjaftueshme, andaj mendoj se propozimi për përfshirjen e saj në listat zgjedhore me 50 për qind është më se i duhur dhe duhet mbështet nga të gjithë”, deklaroi për KOHA, Alimovska. Pas të ndjerit dr.Muharem Nexhipit, shprehet ajo, Manastiri nuk ka pas përfaqësuesin e saj në Parlament. “Mirë është që ky përfaqësim i shqiptarëve të plotësohet në zgjedhjet e ardhshme me një femër bartëse liste në zonën e pesë zgjedhore nga Manastiri. Me këtë zëri i manastirasve do të dëgjohet edhe në Parlament, por dyshojë se mund të arrihet kjo. Ne si Organizatë ju kemi bërë thirrje të gjitha partive politike shqiptare që të merren parasysh kjo që në vitin 2013, por nuk ka asnjë rezultat. Kemi pasur atëherë një kandidate por ka qenë e gjashta në listë, dhe askush nuk e ka ditur se Manastiri ka një kandidate për deputet. Manastiri me sa duket nuk është prioritet i politikave të larta të partive politike. Nëse bëjmë vetëm apel besojë se nuk do të kemi sukses”, shprehet ajo. (koha.mk)