Andi Zeqiri sipas të gjitha gjasave do të jetë titullar te skuadra e Brightonit në ndeshjen kundër Newcastlet, kanë raportuar të martën mediumet angleze.
Për Zeqirin, i cili iu bashkua Brightonit në fillim të këtij edicioni, kjo do të jetë ndeshja e parë si titullar në Premier League. Ai deri më tani, i ka katër paraqitje në kampionat për Brightonin apo në total 109 minuta lojë.
Ndeshja mes Brightonit dhe Newcastlet, zhvillohet të shtunën mbrëma dhe i takon xhiros së 29 në Premier League. Trajneri i Brightonit, Graham Potter beson se Zeqiri mund ta ndihmoj ekipin në këtë ndeshje pas paraqitjes së mirë që e pati në ndeshjen e fundit kundër Southamptonit, në të cilën luajti gjatë tërë pjesës së dytë.
“Zeqiri tashmë është adaptuar dhe ka personalitet në lojë. Ai bën presion, dëshiron të ketë ndikim në ndeshje dhe po, gjasat janë të mëdha që ai të jetë titullar ndaj Newcastlet”, ka thënë trajneri Potter. Zeqiri 21-vjeçar ka kontratë deri në vitin 2024 me Brightonin.