Tetovë, 9 maj – 43 vjeçari nga Tetova me iniciale S.S, ka denoncuar se të hënën pasdite, me veturë, së bashku me djalin e tij të mitur, ka qenë duke lëvizur në rrugën e “Ilindenit” dhe më këtë rast është sulmuar nga 32 vjeçari B.J nga fshati Sllatinë, shkruan gazeta KOHA. Sipas policisë, 32 vjeçari me veturën e tij Golf, me targa të Gjermanisë, duke lëvizur para S.S., disa herë e ka ndryshuar drejtimin dhe e ka rrezikuar sigurinë në komunikacion. Në një moment, njofton policia, që të dy kanë dalë nga veturat, kanë filluar një zënkë verbale, në të cilën 32 vjeçari e ka ofenduar dhe kërcënuar, ndërsa e ka sulmuar me grushte në kokë dhe trup. Policia informon se kalimtarë të rastit i kanë ndarë, ndërsa B.J ka ikur, përderisa tetovari ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës, ndërsa ka marrë lëndime në kokë dhe ka thyer tre gishta të dorës. Shumë shpjet, sulmuesi është arrestuar dhe mbajtur në Stacionin Policor në Tetovë, ndërsa janë marrë masa për zbardhjen e plotë të rastit. (U.H)