Shkup, 12 maj – Grupi i deputetëve të Lëvizjes BESA ia uroi zgjedhjen presidentit të ri Stevo Pendarovski, ndërsa sipas deputetit Fadil Zendeli pritjet e tyre janë që ai ta përmbushë atë që e premtoi gjatë fushatës zgjedhore dhe në fjalimin e sotëm nga foltorja e Kuvendit.
“U rrumbullakësua një proces pas zgjedhjeve demokratike. Presim nga presidenti i ri atë që e premtoi gjatë zgjedhjeve, por edhe atë që e tha, ta kryejë, të jetë konzistent në të gjitha insistimet e tij që i tha në platformën e vet”, tha Zendeli.
Në emër të Besës shprehi gatishmëri për bashkëpunim me presidentin, por edhe me Qeverinë dhe tha se partia do ta japë kontributin e vet për të gjitha ndërhyrjet reformuese në kontekst të proceseve integruese.
Por, siç shtoi ai, si parti opozitare do ta ndjekin çdo paraqitje të tij për të parë nëse do ta përmbushë atë që e ka premtuar.