Shkup, 8 janar – Procesi i ndryshimeve Kushtetuese dhe propozim amandamentet e partisë opozitare shqiptare BESA kanë qenë temë e takimit të së martës në Kuvendin e Maqedonisë midis deputetit të Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli dhe shefit të Zyrës për lidhje të NATO-s në Maqedoni, Zoran Jankoviq, informon Koha.mk
“Qëndrim i përbashkët ishte se për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, për të gjithë partitë politike, një nga qëllimet kryesore është anëtarësimi në BE dhe NATO. Kemi folur për ndryshimet Kushtetuese. Ne ambasadorit Jankoviq i kemi sqaruar propozim-amandamentet tona, të cilat tanimë janë në procedurë parlamentare, gjegjësisht se çfarë kërkojmë ne me ato propozim amanadmente. Nga ana e tij, përfaqësuesi i NATO-s na ka thënë se duhet të bisedojmë për të gjitha aspektet edhe ato politik edhe ato Kushtetues, që ditëve në vijim do të jenë pjesë e debatit në Kuvend , si dhe të gjendet një mënyrë se si të arrihet deri të shumica e 2/3 e votave dhe të kalojnë ndryshimet Kushtetuese. Por, gjithësesi, edhe të gjitha palët e interesuara të jenë të kënaqura nga procesi”, ka thënë Zendeli në pres-konferencën e tij në Kuvend, raporton gazeta Koha.
Në pyetjen se a do t’i mbështesin propozim amandamentet e Qeverisë në rast se nuk pranohen propozimet e tyre, Zendeli theksoi se këtë çështja do ta shqyrtojnë gjatë periudhës së vijimit të debatit në Kuvend, në pajtueshmëri me atë se si do të zhvillohet i gjithë procesi.
I pyetur për të komentuar akuzat e zëvëndës-kryeministrit Bujar Osmani se në rast se nuk mbështet finalizimin e ndryshimeve Kushtetuese, opozita shqiptare do të jetë pengesë e procesit, Zendeli thekson se ata nuk janë pengesë.
“Ne dy deputet të Lëvizjes BESA e mbështetëm inicativën për hapjen e ndryshimeve Kushtetuese, por gjatë procesit u ndryshuan rregullat e lojës, u shtuan disa çështje të reja të cilat për ne janë kontestuese. Për këtë arsye, përgjegjësi duhet të bartin ato që ndryshuan rregullat e lojës, shtuan rregulla të reja, që nuk ishin pjesë e propozim ndryshimeve Kushtetuese. Osmani të shkon dhe të pyes shqiptarët a pranojnë që në shtetësi të quhen maqedonas”, tha Zendeli. (Koha.mk)