Shkup, 26 dhjetor – Suad Zendeli është shpallur lojtari më i mirë i gjysmësezonit vjeshtor për skuadrën e FC Shkupi nga ana e tifozëve.
Me 3734 vota, kapiteni i bardhekaltërve ka zënë vendin e parë, ndërsa pas tij është radhitur Kristijan Stojkoski me 3645 vota, derisa në pozitën e tretë është ndalur sulmuesi Alen Jasharovski. Numri një i skuadrës në disa ndeshje ka qenë vendimtar për Shkupin dhe me plot meritë ka fituar pozitën e parë, derisa Stojkoski i cili erdh si përforcim nga Makedonija Gj.P., ka lënë gjurmë këtë gjysmësezon duke qenë lider i pakontestueshëm në organizimin e lojës së “pëllumbave”, ndërsa Jasharovski i cili gjithashtu erdh nga radhët e Makedonija Gj.P., është golashënuesi më i mirë i ekipit.
Në pesëshen e parë janë gjetur edhe Muharem Bajrami me 3512 vota dhe i riu Omar Imeri me 3095 vota. Kujtojmë se FC Shkupi sezonin vjeshtor e mbylli me 23 pikë, duke ndarë pozitën e pestë me Rabotniçkin, ndërsa në garat e Kupës së Maqedonisë, u ndal në 1/8-tën e finales nga ekipi i Vardarit.