Shkup, 29 korrik – Fadil Zendeli, deputeti i Lëvizjes BESA ka kundërshtuar rendin e ditës në Komisionin për zgjedhje dhe emërime, pasi shumica nuk ka pranuar emërimin e një shqiptari për drejtor të Revizionit Shtetëror, njofton Koha.mk.
Paraprakisht, deputeti Zendeli kishte thënë së ka kërkuar që konkursi i shpallur para dy viteve për drejtor të Entit për Revizion Shtetëror të anulohet dhe me këtë – të mundësohet një konkurs i ri që do hapte rrugë që ndonjë ekspert shqiptar i përkrahur nga opozita të udhëheqë me institucionin e Revizionit shtetëror.
Në ndërkohë, nga BDI akuzojnë se e vërteta është krejtësisht ndryshe. Deputeti Zendeli, sipas BDI-së, me deklaratën dhënë gazetarëve, dëshiron ta fshehë votën e tij të koordinuar me VMRO-në, pasi vota e tij përbën shumicën e Komisionit, por vetëm me VMRO-në, të cilët edhe votuan kundër rendit të ditës.
“Fadil Zendeli e di shumë mirë se drejtori i Revizionit shtetëror zgjidhet me konkurs. Që në fillim, kur deputetët e VMRO-së votuan kundër rendit të ditës, edhe Zendeli votoi kundër. Dhe, për ta fshehë koordinimin e tij me VMRO-në, ai tash del dhe thotë se votoi kundër gjoja pasi nuk zgjidhet drejtori shqiptar i Revizionit të shtetit”, thonë në BDI. Përndryshe ky komision parlamentar është i përbërë nga 6 deputet të VMRO-DPMNE, 5 të LSDM dhe nga një i BDI-së dhe i Lëvizjes BESA. (koha.mk)