Bujar KURTAJ
Shkup, 7 mars – Portieri i Shkupit, Suad Zendeli ka pasur rolin e heroit në përballjen me Shkëndijën, pasi gjatë 90-të minutave arriti të rruajë portën e tij, duke i mundësuar kështu skuadrës së tij të fitojë një pikë të madhe. Me këtë paraqitje, Zendeli edhe një herë i dëshmoi aftësitë e tij kundër një skuadre siç është Shkëndija. Pavarësisht kësaj, Zendeli tregohet modest në deklaratat e tij, duke thënë se ka bërë vetëm punën e tij, por pranon se është i kënaqur me pikën e fituar.
“Në ndeshjen kundër Shkëndijës thjeshtë e kam bërë vetëm punën time, çdo send që bëj shkon në favor të ekipit. Nuk donë të thotë se unë kam mbrojtur mirë kurse ka luajtur dobët, përkundrazi edhe lojtarët kanë dhënë kontributin e tyre në arritjen e këtij rezultati. Mirëpo, më duhet të pranoj se jam i kënaqur që fituam një pikë. Të luash mirë kundër Shkëndijës duke e marr parasysh fondin e lojtarëve që e kanë, nuk është punë e vogël. Me rëndësi për ne është se arritëm atë për të cilën shkuam në Tetovë”, thotë për KOHA, Zendeli.
Ai thotë se është i kënaqur me ecurinë e skuadrës në tre ndeshjet e para të sezonit pranveror. “Personalisht jam i kënaqur me ecurinë e skuadrës në tre ndeshjet e para. Në secilën ndeshje kemi ndryshime si në aspektin taktik edhe në atë fizik. E them këtë duke e ditur se me çfarë kundërshtar jemi përballur, Vardarin (1-3), Rabotniçkin (1-1) dhe së fundmi me Shkëndijën (0-0)”, nënvizoi më tej numri një i portës bardhekaltër.
Ndërkohë, të dielën kundërshtari i radhës i “pëllumbave” do të jetë skuadra tjetër shqiptare nga Tetova, Renova. Derisa, Suadi thotë se ka ardhur koha që Shkupi të arrin fitoren e parë. “Duke u bazuar në paraqitjet që i kemi zhvilluar deri më tani, mendoj se ka ardhur koha të arrijmë fitoren e parë. Nuk them se Renova është ekip i dobët, përkundrazi edhe ata kanë ekip të mirë, por ne luajmë para publikut tonë dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimin”, përfundoi deklaratën e tij për gazetën KOHA, Suad Zendeli. Kujtojmë, pas këtij barazimi Shkupi me 18 pikë mban pozitën e 80të në renditjen tabelore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.