Shkup, 12 mars – “Zemra imë rrah vetëm për Shqipërinë, kombëtaren e vetme të shqiptarëve”, thotë për gazetën KOHA, Taulant Seferi, futbollisti nga Kumanova, i cili është pjesë e shpresave të Shqipërisë. Ai nuk pendohet në asnjë moment që ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë dhe në anën tjetër ka refuzuar atë të Maqedonisë, e cila gjithashtu kishte shprehur interesim ta sheh në radhët e saja.
“Të gjithë e dinë se unë jam pjesë e shpresave të Kombëtares së Shqipërisë. Tani së fundmi kam marr pjesë nga seleksionuesi Bushi dhe do të jem në Shqipëri, pasi kemi dy ndeshje kundër Sllovakisë. Gazetarët vazhdimisht më pyesin për përzgjedhjen time, ndërsa unë u them se kjo gjë ka marr fund përgjithmonë dhe se unë nuk kam ndërmend të ndryshoj ngjyrat kuqezi. Jam krenar që jam pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, kombëtaren e vetme që kanë shqiptarët”, deklaroi Seferi, i cili aktualisht në formë të huazimit nga Jang Bojsi, po luan për skuadrën e Vohlen. (koha.mk)