Pedrag Mijatovic foli për mikrofonat e “El Larguero”, ku u ndal te situata e Real Madridit dhe fitimi i titullit nga Barcelona.
Deklaratat e Zidane, pas humbjes së fundit – “Unë nuk isha i befasuar nga ato që tha. Ka qenë shumë i qartë në periudhën e tij të parë si trajner i Realit, nuk e pëlqen situatën aktuale dhe tani është i shqetësuar në lidhje me sezonin e ardhshëm. Gjetja e një zgjidhjeje për Bale dhe ndërtimi i një ekipi si ai dëshiron, nuk do të jetë e lehtë. Asnjë nga lojtarët nuk do të jetë i gatshëm të heqë dorë nga Reali”.
A e ndjekin lojtarët Zidane – “Kjo nuk do të jetë e lehtë. Megjithatë, lojtarët kanë kaluar shumë gëzime me Zidane. Trajnerit do t’i duhet shumë për t’i motivuar ata përsëri, ndërkohë që e ka të detyrueshme ta rinovojë ekipin”.
Luka Modric – “Zidane do të ketë folur me të. Modric është një djalë i përkushtuar dhe problemi nuk do të jetë vetëm tek ai. Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë për ta rifituar më, siç ka qenë më parë”.
Përmirësimi i kontratës – “Modric është profesionist, besoj është i lumtur në Madrid. Në sezone si ky, pa asnjë trofe, edhe ai vuan si gjithë të tjerët”.
Marcelo – “Ka pasur një sezon të vështirë, janë ngritur shumë dyshime rreth tij. Ai është një lojtar, që mund të rifitohet plotësisht, por kjo kalon përmes një pune të komplikuar. Marcelo ka nevojë për dashuri nga klubi dhe Zidane. Ai është ende shumë i vlefshëm, mund të rikthehet si më parë, por kjo varet nga puna”.
Distanca në kampionat me Barcelonën dhe Atletico Madrid – “Nuk është situatë normale. Distanca me Barcelonën, tani kampione, është 18 pikë, ndërsa me Atletico Madrid 9 pikë, vërtet shumë. Megjithatë, të tilla llogari nuk vlejnë më, sepse sezoni është në përfundim”.
Barcelona kampione – “Një skuadër fantastike, që nga fillimi i sezonit. Fitoi titullin në La Liga, por e shoh favorite edhe në Champions. Të shohim si do t’i shkojë në gjysmëfinale, ndaj Liverpool, sepse janë dy skuadra të pakrahasueshme, që kanë zhvilluar një sezon spektakolar”.
Lionel Messi – “Çdo vit e më shumë më habit. Tani nuk ka kufij për të. Është shumë i rëndësishëm për skuadrën e tij. Kur Messi nuk luan, Barça është e dobët”.