Pragë, 20 mars – Turqia ndërmjetësoi në eksportin e naftës në territoret që ishin nën kontrollin e grupit xhihadist Shteti Islamik (SHI), me çka praktikisht u bë aleate e xhihadistve, deklaroi presidenti çek Milosh Zeman.
“Pse i sulmojnë kurdët? Për shkak se turqit faktikisht janë aleatë të SHI. Edhe pse është anëtare e NATO-së dhe dëshiron të hyjë në BE, që është pak e besueshme se do të ndodhë, ka informata se në kohën kur SHI okupoi një pjesë të madhe të Sirisë dhe Irakut, Turqia ka ndërmjetësuar në disa operacione logjistike për furnizim të Shtetit Islamik. Konkretisht eksportin e naftës”, theksoi Zeman.
Ai e akuzoi presidentin turk Rexhep Taip Erdogan se me politikën e tij të “islamizimit të Turqisë”, e afron vendin deri te radikalët islamikë.
“Ajo më nuk është ai shteti laik i Ataturkut dhe bëhet shtet që e propagandon ideologjinë islamike. Nga ajo logjikisht del se është e afërt me radikalët islamikë, prej të cilëve logjikisht del se i sulmon kurdët”, konkludoi Zeman.
Forcat për Mbrojtje të Popullit të kurdëve sirianë, të mbështetur nga SHBA-ja, morën një pjesë të madhe të territorit në Sirinë verilindore, ku i shtypën luftëtarët e SHI-së.
Nga ana tjetër, Ankaraja i konsideron Forcat e Mbrojtjes së Popullit si degë siriane të Partisë Punëtore të Kurdëve (PKK), e cila lufton për autonominë e rajoneve turke të banuara me kurdë dhe që gjendet në listat e organizatave terroriste të Turqisë, BE-së dhe SHBA-së.
Forcat turke së bashku me grupet rebele siriane të mbështetura nga Ankaraja, morën ofensivë kundër luftëtarëve të Kurdëve sirianë në Sirinë Veriore, duke shtypur territoret përgjatë kufirit me Turqinë.
Ankaraja paralajmëroi ofensivë kundër kurdëve sirian dhe në Sirinë verilindore, në lindje të lumit Eufrat, mirëpo operacioni ishte pezulluar me presionin e SHBA-së.