Zelandë e Re, policia: Rreziku s’është eliminuar! Trump: Supremacia e bardhë, jo kërcënim global

Një agresor i së djathtës ekstreme, i armatosur me një armë gjysmëautomatike mësyu dy xhami në qytetin e qetë Christchurch të Zelandës së Re gjatë lutjeve të pasdites së të premtes, për të vrarë prej andej 49 besimtarë dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

Sulmi, i cili mendohet të jetë më vdekjeprurësi ndaj myslimanëve në Perëndim në epokën moderne, u cilësua në mënyrë të menjëhershme si terrorist nga kryeministrja Jacinda Ardern, teksa udhëhiqte vendin e tronditur në një nga “ditët më të errëta” të historisë, shkruan Top Chanel, transmeton gazeta Koha.

Agresori për më tepër e transmetoi “live” në Facebook të gjithë ngjarjen, teksa hynte nga dhoma në dhomë, duke qëlluar viktimë pas viktime nga një distancë tejet e vogël, mes përpëlitjeve tëtyre për të gjetur shpëtim.

Gjithsesi, 28-vjeçari i lindur në Australi është arrestuar tashmë dhe ndaj tij është ngritur edhe akuza për vrasje. Ai pritet të dalë para gjykatës së Christchurchit mëngjesin e së shtunës, ndërkohë që dy persona të tjerë mbeten ende në paraburgim. Lidhja e këtyre të fundit me sulmin e kobshëm nuk dihet ende, por policia thekson se asnjëri prej tyre nuk ka qenë në listën e mbikëqyrjes nga policia.

Pavarësisht arrestimit të autorit, policia ka paralajmëruar qytetarët neozelandezë të mbeten vigjilentë, me argumentin se “nuk ka asnjë garanci se rreziku është eliminuar” në rajonin ku ndodhi ngjarja.

“Hetimet tona janë vetëm në hapat e parë dhe do të përpiqemi të krijojmë një panoramë të plotë të ndonjë individi të përfshirë, apo edhe të të gjitha aktiviteteve të kryera përpara kësaj ngjarjeje të tmerrshme”, tha policia në deklaratën e saj për shtypin.

“Është e qartë se, tashmë ky mund të përshkruhet fare mirë si një sulm terrorist”, tha Ardern, e cila pritet të vizitojë qytetin e tronditur këtë të shtunë. “Nga ajo çfarë dimë ne, duket se gjithçka ka qenë e mirëplanifikuar”.

Ndërkohë, policia ka njoftuar se dy pajisje të improvizuara shpërthyese janë gjetur në një automjet, të cilat janë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar nga ushtria.

Objektivat e agresorit, që kryeministri australian Scott Morrison e përshkroi si “ekstremist, djathtist dhe terrorist të dhunshëm”, ishin xhamia “Masjid al Noor”, ku mbetën të vdekur 41 vetë, dhe një tjetër xhami më e vogël në periferinë Linëood, ku u vranë edhe 7 persona të tjerë. Viktima tjetër ndërroi jetë në spital. Mes tyre ka edhe gra e fëmijë. Ndërkohë, 42 persona u trajtuan për plagë nga armët e zjarrit në spitalin e Christchurchit, dy prej të cilëve vijojnë të jenë në gjendje kritike. Njëri prej këtyre, një 4-vjeçar, do të transferohej në një tjetër spital gjatë së shtunës.

Sulmet në Zelandën e Re shkaktuan një ndjenjë horrori dhe revolte në mbarë botën. Por, edhe pse e dënoi “masakrën e tmerrshme”, gjatë së cilës “vdiqën në mënyrë të pakuptimtë njerëz të pafajshëm”, presidenti amerikan Donald Trump tha se rreziku nga supremacistët e bardhë nuk është ngritur ende në nivelin e kërcënimit global.

“Nuk e mendoj realisht. Besoj se është një grup i vogël njerëzish, të cilët kanë probleme tejet serioze. Ndoshta po të shohësh rastin e Zelandës së Re, ky është rasti. Edhe pse nuk di shumë gjëra rreth tij, gjithçka flitet ka të bëjë me personin dhe njerëzit që janë prekur, por sigurisht që është një gjë shumë e tmerrshme”, tha Trump.