Shkup, 28 mars – Ligji për Prokurori publike është kyç për shtetin juridik, por edhe hap serioz drejt integrimeve dhe hapjes së negociatave me BE-në, ka potencuar mes tjerash nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, mbrëmë në emisionin “Dhe çka tani? në kanalin e parë të servisit publik, njofton KOHA.
Zeqiri theksoi se edhe pse opozita e bllokon procesin për sjellje të Ligjit për prokurori publike, shteti, institucionet do të gjejnë mënyrë ta vazhdojnë procesin e integrimeve sepse ajo siguron përfitime për të gjithë qytetarët.
“Ligji për prokurorinë publike dhe puna e PSP-së është kyç drejt përparimit të shtetit juridik, hap kyç drejt integrimit në BE. Ai është interes i lartë shtetëror dhe duhet të jetë mbi të gjithë ne. Këtu nuk bëhet fjalë për të ardhmen e partive politike, bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit. Për atë duhet të jemi përgjegjës dhe racional, të shikojmë përpara, ndërsa jo të kthehemi prapa. Përparimi është i dukshëm. Anëtarësimi në NATO është i sigurt, ndërsa data për negociata me BE-në do të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, porositi nënkryetari Zeqiri.
Duke u kthyer në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Zeqiri theksoi se e rëndësishme është Republika e Maqedonisë së Veriut të mbajë zgjedhje të pastra kristale, në të cilat qytetarët do ta japin përkrahjen e tyre për kandidatin e përbashkët për president Stevo Pendarovski. (koha.mk)