Shkup, 18 shkurt – Zejtarët në përgjithësi janë të kënaqur me përfshirjen në pakon e pestë të masave ekonomike, informoi sot Kryetari i Odës së Zejtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agron Fazliji dhe shtoi se aktualisht janë duke i pritur dekretet me të cilat do të specifikohet mbështetja. Zgjidhjet e ofruara do t’u mundësojnë zejtarëve të vazhdojnë të punojnë dhe ta kapërcejnë krizën me të cilën përballen për gati një vit.
“Zejtarët do të marrin mbështetje për dy paga për shkurt dhe mars, lirim nga pagesa e akontacioneve të tatimit mbi të ardhurat personale deri në 30 qershor të këtij viti, mbështetje financiare për zejtarët e regjistruar. Në pakon ka 29 masa, kështu që ekziston mundësi të shfrytëzohen dhe të tejkalohet periudha e vështirë e shkaktuar nga kovid kriza. Ne do të presim miratimin e dekreteve me ligj në të cilat do të specifikohet mbështetja, por ne përgjithësisht jemi të kënaqur dhe mirënjohës ndaj qeverisë, ministrive, atyre që janë të përfshirë për mbështetjen”, deklaroi Fazliji.
Shumica e zejtarëve do të përdorin mbështetje për pagë dhe kontribute e cila ishte kërkesa kryesore e zejtarëve, por siç theksoi Fazliji, ka edhe të tillë siç janë zejtarët të cilëve u janë marrë tatime në mënyrë paushallë të cilët kanë paralajmëruar se do të përdorin edhe kredi pa interes.
Nga Oda u bëri thirrje anëtarëve të jenë në komunikim të vazhdueshëm me odën dhe kontabilistët dhe të aplikojnë për të gjitha fondet e nevojshme, sapo të lëshohen dekretet.