Në Shoqatën e Zejtarëve thonë se numri zejtarëve tashmë është zvogëluar aq sa ata mund të numërohen në gishta. “Të rinjtë në pjesë të madhe migrojnë, kurse të tjerët nuk shprehin interes për të vazhduar traditën e të parëve të tyre. Kjo është edhe arsyeja që ata pak zejtarë të përkrahen me subvencione nga shteti”, thotë kryetari i Shoqatës së Zejtarëve në Dibër, Fisnik Saraçi
Vjollca SADIKU
Dibër, 9 korrik – Dibra ka qenë qendër tregtie dhe zejtarie që ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e këtij rajoni. Deri më vitin 1912, Dibra ka qenë një ndër qytetet më të zhvilluara në rajon si për nga aspekti ekonomik, zejtar, tregtar… dhe në planin social kulturor. Në atë kohë, Dibra kishte 11.000 banorë dhe 462 dyqane. Por tani kjo është vetëm një e kaluar. “Rruga e Zejtarëve” në Dibër tani më disa dekada nuk ekziston. Kjo rrugë ka qenë rrugë kryesore e dibranëve atëherë edhe sot, por sot shumë dyqane të zejtarëve janë zëvendësuar me butiqe, kafiteri, frizerë, foto studio e tjerë. Tani më nuk janë më zejtarët e dikurshëm të plisave, saraçëve, filigranëve, samarxhinjve etj. Sot qyteti ka një rrugë kryesore moderne pa asnjë tipar të së kaluarës. Gjërat kanë ndryshuar – aty jo vetëm që nuk janë zejtarët, por edhe dyqanet kanë ndryshuar pamjen.
Në Shoqatën e Zejtarëve thonë se numri zejtarëve tashmë është zvogëluar aq sa ata mund të numërohen në gishta. Kryetari i kësaj Shoqate, Fisnik Saraçi, thotë se zejet në Dibër janë drejt shuarjes. “Të rinjtë në pjesë të madhe migrojnë, kurse të tjerët nuk shprehin interes për të vazhduar traditën e të parëve të tyre. Kjo është edhe arsyeja që ata pak zejtarë të përkrahen me subvencione nga shteti”, thotë Saraçi.
Qyteti i cili ka patur mbi 20 farkëtarë, tani ka vetëm dy. Familja Piliçi vazhdon traditën e saj, por siç thonë anëtarët e saj, fitimet janë minimale. “Nuk mund të jetohet vetëm me ketë zanat. Për të mbijetuar duhet të punojmë edhe diçka tjetër”, na thotë Lutfi Piliçi, babai i Bajramit dhe nipit të tij Osmanit. “Të gjithë punojmë këtë zanat si farkëtarë ashtu siç kanë punuar dhe pleqtë tanë. Tani kur ka një industrializim të fuqishëm dhe kur bujqit dibranë, të cilët janë të pakët me që ka migrim masiv, përdorin pajisje moderne për të punuar token… Punë nuk ka. Punojmë disa pajisje për bujqit në fshatrat tona, siç janë kosa, nallçat etj, por as nga së afërmi nuk ka efekte materiale”, tregon Lutfi Piliçi. Sot, vazhdon më tej ai, edhe fshatrat janë të boshatisur.
“Dikur të gjithë farkëtarët kishin punë me që banorët të fshatrave Bomovë, Konjarë, Spas, Shullan dhe fshatrat e Zhupës merreshin me bujqësi. Për fat të keq, kjo është një e kaluar dhe zejtarë janë në zhdukje”, thotë farkëtari dibran Osman Piliçi. E njëjta situate është edhe me farkëtarët e familjes Bajrami. Ato thonë se ka nevojë që zanatet e vjetra të përkrahen nga shteti në mënyre materiale, me që është edhe interes i shoqërisë që ata të jenë prezent në qytetin e Dibrës, i cili është i njohur për zejtarinë. Sa u takon këpucëtarëve dhe rrobaqepësve, mund të thuhet se edhe ata për shkak të industrializimit të fuqishëm, tani më nuk bëjnë këpucë dhe rroba, por bëjnë vetëm sanimin e tyre. (koha.mk)