Bisedimet midis dy presidentëve zgjatën rreth katër orë dhe u zhvilluan në dy runde. Presidenti rus i ka quajtur bisedimet “shumë konstruktive” dhe tha se nuk mendonte se kishte ndonjë “armiqësi”. Ai thotë se të dy palët kanë rënë dakord të kthejnë diplomatët e dëbuar nga vendet e njëri-tjetrit. Vladimir Putin i bëri një kompliment të rrallë homologut amerikan, Joe Biden, duke e quajtur një “burrë shteti me përvojë”.
Pasi gazetarët i kujtuan një shprehje të Biden, i cili dikur i ka thënë Putinit se “nuk ke shpirt”, Putin u përgjigj: “Ai është një person konstruktiv, i ekuilibruar, me përvojë. E prisja këtë. Ai foli për familjen e tij dhe bisedat që bënte me të ëmën. Këto gjëra nuk është se kanë lidhje të drejtpërdrejtë me punët tona, por tregojnë cilësitë dhe vlerat e tij. Kjo nuk do të thotë se duhet të shohim sytë dhe shpirtin e njëri-tjetrit. Ne mbrojmë interesat e shteteve tona dhe kjo bëhet me pragmatizëm”. Por pavarësisht komplimenteve, Putin tha se Biden nuk e kishte ftuar të vizitonte Shtëpinë e Bardhë dhe as ai nuk e kishte ftuar të vizitonte Kremlinin.
Pas takimit mes presidentit amerikan Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin, përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrell tha se Bashkimi Europian duhet të përgatitet për “një rënie të mëtejshme” në marrëdhëniet e saj me Rusinë e Vladimir Putin. Josep Borrell zbuloi një strategji që synonte të hartonte një kurs për marrëdhëniet BE-Rusi. Sipas tij lidhjet midis dy palëve kanë arritur një nivel të ulët pas luftës së ftohtë pas sulmeve kibernetike të orkestruara nga Kremlini dhe ndërhyrjeve në zgjedhje, konfliktit të ngrirë në Ukrainën lindore dhe helmimit dhe burgosjes së politikanit të opozitës Alexei Navalny.
Teksa Brukseli është përballur me thirrje për të forcuar sanksionet në rrethin e ngushtë të Putinit, Borrell tha se shpresonte të shmangte masat e tjera kufizuese, sepse kjo do të sinjalizonte një përkeqësim të vazhdueshëm të marrëdhënieve.