Të shumta këputjet e ligamenteve të kroçiatit? Duke mos mundur të minimizohet numri i ndeshjeve në kalendar, është e domosdoshme të shtohet numri i zëvendësimeve të lejuara. Kjo është receta e sugjeruar nga Piero Volpi, përgjegjësi i departamentit mjekësor te Interit, të dhënë gjatë një interviste të “Radio 24”. Sipas mjekut Volpi, mënyra e vetme për të parandaluar dëmtimet, është minimizimi i minutazhit që futbollistët luajnë në fushë.
“Pritshmëritë e futbollit modern në lidhje me këtë tip dëmtimesh janë një rast në vit për çdo skuadër. Futbolli është një sport traumatik, ndaj nevojitet të pritet që çdo vit të ketë fatkeqësisht një dëmtim me këputje të ligamenteve të kroçiatit për çdo skuadër. Prej vitesh diskutohet mbi mënyrën dhe mundësinë për të reduktuar këtë statistikë, duke studiuar terrenet e lojës, këpucët dhe metodologjitë e stërvitjes”, sqaroi mjeku Volpi.
“Vitet e fundit është konstatuar se dy faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë direkt në këtë çështje janë fiziku i futbollistë dhe raporti mes ndeshjeve dhe stërvitjeve. Ditët e sotme luhet shumë ndërsa stërvitet më pak. Për këtë arsye unë kam propozuar që para dy vitesh, dhe e di që Federata, në lidhje me kategoritë diletante e ka bërë, mundësia e vetme, duke mos mundur të reduktohet numri i ndeshjeve, sepse të gjithë duan të luajnë me përfaqësuesen, në Evropë, kampionat dhe kupë, atëherë të shtohet numri i zëvendësimeve të lejuara. Duhet të mundësojmë që futbollistët të luajnë të gjithë nga pak, duke realizuar një rotacion të plotë, ndryshe, me vetëm tre zëvendësime të lejuara, është normale që trajneri do të aktivizonte gjithmonë të njëjtë futbollistë”, apeloi mjeku i Interit.