Zbulohet origjina e Himnit të Alfabetit

Në vitin 1909 Parashqevi Qiriazi shkroi “Himnin e alfabetit”. Kur erdhi koha që Parashqevisë i duhej një muzikë e mirë për të frymëzuar shqiptarët për t’u bashkuar dhe ruajtur besën e dhënë në Kongresin e Manastirit, sipas studiuesit David Haseflook, ajo e shfrytëzoi melodinë e përdorur nga studentët e Kolegjit ‘Jale’ në SHBA

Delvina KËRLUKU

Shkup, 21 nëntor 2018 – Në vigjilje të shënimit të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe 11 vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, ky Institut nisi sot aktivitetet e shënimit të 22 nëntorit. Me urimin për patronazhin e Institutit dhe Ditën e Alfabetit, drejtori Skender Asani, tha se ka kënaqësinë që sot ta prezantoj një zbulim të studiuesit, prof. David Haseflook, që sjell një risi për himnin e alfabetit, melodia e të cilit është përdorur nga studentët e Kolegjit ‘Jale’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, shtoi ai, kur jemi këtu, meqë ne jemi të vendosur në një objekt që për vite të tëra ka qenë seli e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, dëshirojmë t’ju themi se ky për shqiptarët nuk është një objekt dosido, por ai është një monument që shënon një histori, një kujtesë, dhe që flet edhe me muret dhe kthinat e veta. Në këtë objekt ka punuar miku i shqiptarëve dhe zgjidhësi i konfliktit të Kosovës, Ambasadori Hill, Ambasadori Riker e shumë të tjerë. Prandaj, ne konsiderojmë se ky objekt sot më ka peshë dhe rëndësi historike, dhe për këtë arsye ne kemi vendosur që në këtë ditë ta vendosim një pllakë që do të jetë shenja mbrojtëse e asaj kujtese dhe ura që do ta lidh të kaluarën dhe të tashmen tonë, u shpreh drejtori Asani.

Më pas studiuesi David Haseflook, prezantoi punimin e tij rreth origjinës së panjohur të Himnit të Alfabetit. Ai tha se në vitin 1909, Parashqevi Qiriazi shkroi “Himnin e alfabetit”, botoi një abetare me alfabetin e ri, si edhe themeloi shoqërinë kombëtare për gra “Yll’ i Mëngjezit”. Sipas Hosaflook, kur erdhi koha që Parashqevisë i duhej një muzikë e mirë për të frymëzuar shqiptarët për t’u bashkuar dhe për të ruajtur besën e dhënë në Kongresin e Manastirit, përballë trysnisë së krijuar nga xhonturqit, të cilët kundërshtonin alfabetin e ri, ajo e shfrytëzoi melodinë që ende oshtinte në kokën e saj prej vitesh (nga studimet e saj në Kolegjin Amerikan në Stamboll), duke qenë e sigurt se ajo muzikë mund të këndohej lehtë dhe se do të kujtohej për një kohë të gjatë, deri në ditët tona.

Me këtë rast, drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, ndau mirënjohje për Ambasadën amerikane në Maqedoni, dhe në emër të ambasadorit Xhes Bejli, mirënjohjen e pranoi znj. Mikaela Shfajcerbllum, zëvendësambasadore. Mirënjohje iu nda edhe dr.David Hosafllok, drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante me seli në Tiranë, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit tonë, për zbardhjen e fakteve të reja historike lidhur me Kongresin e Manastirit dhe familjen Qiriazi.

Më pas u zbulua pllaka falënderuese në oborrin e Institutit, me përmbajtje: “Në këtë objekt, në vitet 2006-2009, ka qenë e vendosur Ambasada e SHBA-ve në Shkup. Kjo pllakë vendoset në shenjë mirënjohjeje për popullin amerikan”.

Mbështetës i aktiviteteve të sivjetme për 110-vjetorin e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me moton “DIELLI PËR NE LIND NË PERËNDIM”, është Sekretariati për Çështje Evropiane i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, si dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.

Në kuadër të shënimit të “Ditës së Alfabetit” dhe “110 vjetorit të Kongresit të Manastirit” janë paraparë edhe më shumë ngjarje në Shkup dhe Manastir, siç është panel-diskutimi në kuadër të Shtëpisë – Muze të alfabetit shqiptar në Manastir, pas së cilit do të vijojë edhe konferencë shkencore në hotelin Epinal, si dhe promovimi i më shumë librave dhe punimeve shkencore e hulumtuese. Ndërsa, violinist me famë, Shkëlzen Doli, nga ora 19, më 22 nëntor, në Filarmoninë e Maqedonisë do të prezantohet nën dirigjimin e Mihail Macijashçik nga Polonia. (koha.mk)