Borussia e Dortmundit barazoi 0-0 në fushën e Nurnbergut, duke lejuar Bayernin që t’i afrohej edhe më shumë pas javës së 22-të të Bundesligës. Në këtë përballje pa gola ra në sy reagimi i mbështetësve verdhezi, që hodhën në fushë topa tenisi të ngjyrosur me bojë të zezë dhe tymuese që nxirrnin vetëm tym të zi.
Arsyeja? Kjo ishte një formë proteste për ndeshjet e të hënës. Fansat e Dortmundit nuk kanë dakord që të luhet në fillim të javës, pasi janë të angazhuar në punë dhe nuk kanë mundësi të shkojnë në stadium.