Interi shikon nga Premier League për t’u përforcuar në mesfushë. Conte ka nisur “gjuetinë” për një lojtar fizik, me kilogramë dhe centimetra, i cili mund të zëvendësojë startuesin Vecino. Në 12 muajt e fundit, Lukaku, Sanchez, Eriksen, Young dhe Moises kanë mbërritur nga Anglia. Për llojin e futbollit që luhet atje (intensiv, me shpejtësi të plotë dhe i vështirë), Premier League është kampionati referencë për Antonio Conte. Kjo është arsyeja pse, përveç anësorit të majtë të Chelsea, Emerson Palmieri, trajneri zikaltër dëshiron edhe një mesfushor nga Anglia.
Një ide për t’u ndjekur me kujdes është e “pazari” me Tottenham. Në të vërtetë, një operacion tjetër përfundoi në janar mes këtyre dy klubeve, që e solli Eriksen në “San Siro”. “Spurs” janë gati të marrin Pierre-Emile Hojbjerg, kapitenin e Southampton, i cili gjithashtu është ndjekur për një kohë të gjatë nga zikaltrit. Mourinho synon ta revolucionarizojë mesfushën e tij dhe dy lojtarë aktualë të Tootenham mund të “shërbehen” për Conte: Tanguy Ndombele dhe Moussa Sissoko.
Të dy shumë “fizikë”, të dy të përshtatshëm për të luajtur si mesfushorë para mbrojtjes në modulin 3-4-1-2 të ish-trajnerit të Chelsea. Sidomos pëlqehet Ndombele, i blerë për 60 milionë euro (plus 10 milionë bonuse) verën e kaluar nga Lyon.
Megjithatë, një shkëmbim është i domosdoshëm, sepse Levy nuk i zhvlerëson kurrë investimet e tij. Sidoqoftë, Sissoko dhe Ndombele nuk janë dy opsionet e vetme. Disa centimetra më pak se ATA të dy ka N’Golo Kanté, të cilin Conte e njeh mirë, sepse fitoi titullin me të te Chelsea. Me francezin, zikaltrit do të vuanin në topat e lartë, por do të siguronin një “motor” të palodhur, një lojtar me agresion dhe dinamizëm të madh në mesfushë. Kante është një ekspert dhe i mësuar të fitojë.
Ndër emrat më pak të njohur, i monitoruar nga Interi dhe që ka më pak mundësi të arrihet, është Wilfred Ndidi, nigeriani i Leicester.