Tragjedi e madhe për klubin e Premier Ligës. Pronari i klubit anglez të futbollit, Vichai Srivaddhanaprabha, humbi jetën bashkë me katër persona të tjerë pas rrëzimit të helikopterit në ambientet e jashtme të King Power Stadium.
Mediat angleze kanë zbuluar identitetin e personave që e shoqëronin në bordin e helikopterit që u shkrumbua nga flakët pas përplasjes.
Eric Swaffer (53 vjeç): Pilot i helikopterit dhe sipas dëshmitarëve të ngjarjes një hero në këtë histori. Nëse nuk do ta kishte drejtuar helikopterin në ambientet e jashtë stadiumit, pasi ndodhi problemi teknik, numri i viktimave do të ishte shumë më i madh, pasi tifozë të shumtë ende po largoheshin nga stadiumi.
Izabela Roza Lechowicz (46 vjeçe): Pilotja e dytë dhe njëkohësisht partnerja e Swafferit. Origjina e saj ishte polake dhe ambasada e vendit të saj në një qëndrim zyrtar shkruante se ishte një pilote e mrekullueshme.
Nusara Suknamai (33 vjeçe): Mikeshë dhe anëtare e stafit të Srivaddhanaprabha. Në Miss Universe Thailand në vitin 2005 doli e dyta si dhe mori çmimin e Miss Fotogjenia. Ndiqte gjithmonë ndeshjet e Leicesterit dhe ishte shumë aktive në rrjetet sociale.
Kaveporn Punpare: Krahu i djathtë i Srivaddhanaprabha. Ka pak të dhëna për të. Dihet vetëm që ka punuar për presidentin, i cili e thërriste me nofkën “Golf”. (Koha.net)