Menaxheri i Përfaqësueses së Suedisë, Stefan Pettersson, ka përgënjeshtruar Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin. Në Doha të Katarit, Kosova sot është përballur në një ndeshje miqësore me Suedinë, ku me rezultatin 1-0 triumfoi përfaqësuesja e Suedisë.
Mirëpo, para disa ditëve i pari i FFK’së, Agim Ademi, kishte thënë se Suedia ka paguar të shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të Kosovës në Katar.
“Suedia në vazhdimësi është treguar shumë miqësore dhe ka mbështetur përfaqësuesen e Kosovës në futboll, në forma të ndryshme. Kësaj here kanë treguar bujari ndaj ekipit të shtetit tonë duke na mbuluar të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit në Katar përkundër që në këtë ndeshje miqësore do të ballafaqohemi pikërisht me Suedinë” – kishte thënë Ademi për ‘Infokus’ para disa ditësh, përcjellë gazeta Koha.
Por, kjo nuk po del të jetë e vërtetë. Menaxheri i Suedisë, Stefan Petterson, për ‘Football Channel’ ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, transmeton Metro.
“Nuk është e vërtetë që ne kemi paguar për Kosovën. Është ‘One Two Play’ që merret me kundërshtarët. Ne paguajmë vetëm One Two Play” – tha Petterson.
Përfaqësuesjs e Suedisë ka punuar tash e disa vite me kompaninë gjermane ‘One Two Play’, e cila organizon turne/kampe në Abu Dhabi dhe Katar për ekipin suedez tash e disa vite.