Goli i tretë i ndeshjes Barcelona-Liverpool 3-0, shënuar nga Leo Messi, mahniti mbarë botën. Një kryevepër për nga realizimi, prej goditjes së lirë, jashtë zonës së 16-metërshit të portierit Alisson. Ky i fundit nuk mundi të bënte dot asgjë ndaj topit, që u gradua milimetrisht nga ylli argjentinas në cepin e këndit të djathtë të portës së “Reds”.
Ditën e sotme ka pasur kritika për vendosjen e murit (barrierës) mbrojtës të Liverpool në atë rast, ndërkohë që së fundi po diskutohet edhe një tezë tjetër: Leo Messi e lëvizi topin nga vendi ku e përcaktoi kryesori Bjorn Kuipers. Ky i fundit nuk pa gjë, sepse ishte me shpinë, duke i treguar kartonin e verdhë Fabinhos, që kreu ndërhyrjen e gabuar. Nëse gjyqtarëve, në fushë dhe sipër, te VAR-i u ka shpëtuar kjo gjë, gazetarëve të ndryshëm në botë jo.
Ata e mveshin me dritë-hije golin e 600-të të Messit me Barcelonën, edhe pse nuk ka gjë në këtë botë që e “eklipson” dot atë, ardhur nga goditja e dënimit, në një largësi prej rreth 30 metrash. Duke parë edhe videon e këtij moment, pretendohet se Messi ka përdorur një dredhi, para se ta godiste topin. Argjentinasi e ka zhvendosur disi topin më përpara dhe më në qendër. A ka siguruar kjo, një pozitë më të favorshme për goditjen e “sferës”? Kjo mbetet në gjykimin e gjithsecilit.