Vedat Muriqi ka qenë duke kaluar nëpër një formë tejet të mirë te Fenerbahçe këtë edicion. Futbollisti nga Prizreni u transferua te gjiganti turk nga Çaykur Rizespor në verën vitit të kaluar për shumën e tre milionë eurosh, shkruan Zëri.info, përcjellë gazeta KOHA. Por, duke qenë top-golashënues te Fenerbahçe dhe me paraqitjet fenomenale, shumë klube të mëdha evropiane kanë hedhur sytë te sulmuesi i Kosovës.
Klubet e Premierligës angleze kanë qenë tejet të interesuara për shërbimet e Muriqit së fundmi. Tottenhami dhe Manchester Unitedi janë ndër klubet që kanë kërkuar transferimin e Muriqit për në verë. Por, siç raporton ‘Fotomac’, për transferimin e Muriqit, në garë kanë hyrë edhe dy klube të mëdha italiane. Bëhet fjalë për Lazion dhe Napolin. Saktësisht, ‘Transfermarketweb’ raporton se shtatë klube kanë kthyer vëmendjen kah Muriqi.
Manchester Unitedi, Tottenhami, Leicester City, Lazio, Juventusi, Napoli dhe Eintracht Frankfurt janë klubet e interesuara për Muriqin.
Ndryshe, Fenerbahçe planifikon të fitojë 20 milionë euro nga shitja e prizrenasit.