Zëvendës-presidenti i Juventusit, Pavel Nevded, ka zbuluar se si, ai dhe pjesa tjetër e bordit drejtues të klubit italian, vendosën ta transferonin Cristiano Ronaldon nga Real Madridi. Ai ka bërë të ditur se idenë fillimisht e kishte dhënë drejtori sportiv, Fabio Paratici. Por, kur kishin dëgjuar për klauzolën e tij të largimit, ata ishin bindur se duhet ta bëjnë maksimumin për transferimin e tij. Cristiano Ronaldo u largua nga skuadra e Real Madridit dhe u transferua në Juventus gjatë afatit kalimtar të verës, për 112 milionë euro. Ai kishte arritur ta fitonte titullin e Ligës së Kampionëve tri herë radhazi me klubin madrilen, dhe tani, Juventusi synon të kenë po të njëjtin sukses në këtë garë evropiane, përcjell Gazeta Express. Edhe pse ai nuk ka arritur ende të shënojë gol për skuadrën e tij të re në Serie A, Nevdedi është shprehur i sigurt se Ronaldo do t’i ndihmojë Juventusit për të triumfuar në Ligën e Kampionëve.
“Gjithçka filloi në kokën e drejtorit tonë sportiv, Paraticit. Ne ishim në shtëpi kur ai na i propozoi këtë ide mua dhe presidentit të klubit, Andrea Agnellit”, ka thënë Nevdedi. “Na pëlqeu shumë kjo ide, ishim të emocionuar dhe e dinim se po e bënim gjënë e duhur. Kur dëgjuam për klauzolën e tij të largimit, e dinim se duhet të bënim maksimumin për ta transferuar atë. Ky transferim ishte i nevojshëm për të shkuar një hap më tutje, pasi e kemi fituar titullin e Serie A-së shtatë herë radhazi. Tani, do të tentojmë ta fitojmë Ligën e Kampionëve, ky është synimi ynë”, përfundoi Nedved.