Gjobat janë bërë pjesë e pandashme e futbollit modern. Ato janë mënyrë e mirë për lojtarët që ta kuptojnë se do t’u kushtojë nëse thyejnë rregulla të caktuara, raporton Periskopi, përcjellë gazeta Koha. Nëse jeni lojtar i ndonjë lige inferiore, mund të gjobiteni me 50 euro nëse vonoheni pesë minuta në stërvitje dhe pastaj këto para mund të përdoren për ahengun e Krishtlindjeve që e organizon klubi. Por cilat janë gjobat për lojtarët e top klubeve evropiane? Epo, Deportes Cuatro ka publikuar dokumentet që tregojnë gjobat për futbollistët e Real Madridit.
Dokumentet tregojnë gjobat që “Los Blancos” ua shqiptojnë futbollistëve për vonesa, për mbipeshë dhe për përdorimin e telefonëve.
Vonesat
Lojtarët e Real Madridit mund të gjobiten me 250 deri në 1000 euro për vonesa, dhe deri në 3000 euro për mungesë në stërvitje pa arsyetim valid. Lojtarët duhet të shfaqen të paktën 45 minuta para fillimit të seancës stërvitore.
– Pesë minuta vonesë: 250 euro gjobë
– 15 minuta vonesë: 500 euro gjobë
– Mbi 15 minuta vonesë: 1000 euro gjobë
– Mungesë e pajustifikuar: 3000 euro gjobë
Përdorimi i telefonëve
Sipas “Marca”, në dokumente shkruhet se përdorimi i telefonit duhet të jetë i kufizuar gjatë seancës me fizioterapeut, derisa në autobus dhe zhgeshtore duhet të jenë gjithmonë në “silent”. Ata që i thyejnë këto rregulla mund të dënohen 250 euro gjobë, ose 500 deri në 1000 euro për përsëritje të gabimit.
Mbipesha
Futbollistët e Real Madridit dënohen me 250 euro nëse nuk maten (në suaza javore). Tejkalimi i peshës së caktuar mund të rezultojë me gjobë deri në 1000 euro.