Është mirë kur media e Shqipërisë i trajton problemet e shqiptarëve, por duhet t’u përmbahen parimeve të gazetarisë që ato të mos dalin pamflete kuazi patriotike e në favor të ndonjë sponsori politik!
Nga Daut DAUTI
- Shqipëria s’interesohet sa duhet për shqiptarët jashtë Shqipërisë, mund të kemi dëgjuar shumë herë. Ka shumë argumente për këtë. Shqipëria gjatë gjithë këtyre dekadave, në emër të fqinjësisë së mirë, nuk është “përzier” fort në punët e brendshme të vendeve fqinje, edhe pse ka pasur shumë gjera për të thënë. Ndërkaq fqinjët e saj, nuk kanë qenë fort të përmbajtur, duke kërkuar gjëra të pandershme, si Greqia p.sh. që kërkonte për grekët dhe nuk pranonte ndërhyrje për shqiptarët që jetojnë atje në identitetet e stisura nga politikat asimiluese… Po kjo nuk është bash temë e këtij kapitulli. Tema është se si këtë zbrazëti, shpesh e kanë plotësuar media e Shqipërisë. Të shpeshtën me të drejtë dhe me guxim. Por, në gjithçka ka dhe përjashtime. Sepse, ndodh që vjen një ekip prej andej, dhe “zbulon” shqiptarët, sikur të kishin qenë në një planet tjetër! Vjen prej andej dhe me diskursin patriotik(që duket tejet i panatyrshëm) flet dhe përdor terme të mëdha patriotizmi si Ilirida e kushedi çka tjetër, duke mos ditur se edhe ata që e kanë shpikur për ndonjë motiv politik, e kanë harruar kaherë.
Një emision që u dha të mërkurën mbrëma në një TV të Shqipërisë mbante titullin: “Planet e asimilimit të shqiptarëve në Maqedoni…”. Uh, thashë me vete, cilat qenkan këto plane asimilimi, bravo u qoftë kolegëve të Tiranës, që po zbulojnë diçka që ne s’po e shohim para hunde! Dhe ku e “zbulojnë” ata asimilimin e shqiptarëve? Atje ku asimilimi ka ndodhur kaherë dhe që e thoshin edhe disa bashkëbisedues: që nga Luftërat ballkanike (kur s’kapasë Maqedoni) e gjer te regjimi komunist (në Maqedoninë e Jugosllavisë së Titos), që me mënyra të ndryshme i asimiloi shqiptarët ortodoksë, por dhe realizoi edhe planet shpopulluese përmes shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi në kohën e Rankoviqit. Ky nuk ishte një zbulim i ri, kaherë kanë shkruar shumë nga ne që merremi me shkrime dhe autorë në shumë libra, por ani, s’është keq të kujtojmë historitë e hidhura. Po ama titulli hutues të sugjeronte sikur këto plane asimilimi ishin të ditëve të sodit! Dokumentari pasi e absolvon temën e ditur kaherë të asimilimit të shqiptarëve ortodoksë (dukej sikur këtë ata e zbulojnë për herë të parë!), ishin munduar ta plotësojnë mozaikun me një varg çështjesh që kishin të bëjnë me aspektet praktike të barazisë në Maqedoni, që s’kanë lidhje me asimilimin, si psh. Ligji për gjuhën që e avancon përdorimin e shqipes, por që në praktikë nuk ecë me dinamikën e paraparë, ose çështja e migrimit, që na del sikur vetëm këtu ndodhin, sikur në Shqipëri nuk ka të paktën 1.4 milionë të shpërngulur, por a ta quash këtë asimilim, e ndonjë temë tjetër nga fusha e marrëdhënieve ndëretnike ose funksionimit jo të përsosur të sistemit?
Dhe kur jemi te profesionalizmi, edhe ne që kemi kryer gazetarinë në kohën e regjimit komunist, kemi mësuar se kur të shkruash për një temë, duhet të thirresh në disa burime, e ekipi i gazetarëve të Tiranës, gjithë kohës i rrihnin një teli, atij opozitar, edhe atë, nga spektri politik shqiptar ishte i pranishëm vetëm një lider i një partie minore që u faktorizua nga bashkëpunimi me një parti maqedonase, i cili vriste e priste pushtetarë, jepte fetva për gjithçka. Autorët nuk e kishin parë të udhës të marrin ndonjë nga ekzekutivi që t’u përgjigjej këtyre dilemave, e as na treguan nëse i janë drejtuar dikujt e ata nuk u janë përgjigjur. Ndërkaq pa kurrfarë hezitimi ia jepnin fjalën këtij lideri, i cili mbahet mend edhe nga një emision debatues kur ishte zënë ngushtë me pyetjen se me çfarë identifikohet, me përkatësinë fetare që kishte imazhin partia e tij atëherë, apo me atë kombëtar, duke qenë shqipfolës dhe mezi ishte deklaruar.
Për shembull, në këtë dokumentar, as nga goja e këtij gjithëdijshmi nuk pati ndonjë vlerësim çfarë domethënie dhe roli në planet e asimilimit kanë disa universitete shtetërore e private në gjuhën shqipe?… Po si t’i përmendte kur ai nuk ka merita për to, por ata që ai i shante gjithë kohës?!
Çka t’u them, ejani, trajtoni tema, kolegë të nderuar, por mos krijoni iluzione e të zbuloni Amerikën pas Kolombos!
Sa për asimilimin, ju me shifrat që përdorët në kontekst për të dëshmuar tezën, në të vërtetë dëshmuar të kundërtën. Sepse, nëse në regjistrimin e kaluar(para dy dekadash) shqiptarët ishin 25 përqind, potë ishin asimiluar s’do të bëheshin 29 për qind!!!
Është mirë kur media e Shqipërisë i trajton problemet e shqiptarëve, por duhet t’u përmbahen parimeve të gazetarisë që ato të mos dalin pamflete kuazi patriotike e në favor të ndonjë sponsori politik, i cili tek duhet të dëshmojë veten sa është i aftë të mbrojë kauzat shqiptare!
- Për BE-në, në Ohër ndodhi Marrëveshja e shumëpritur midis Kurtit dhe Vuçiqit.
Një hap i madh përpara normalizimit!
Borell: një status-kuo i ri! (A për status-kuo gjithë kjo zhurmë?!)
Për Vuçiqin, nuk kam nëshkruar asgjë. E them haptas se nuk do ta zbatoj pikën për të mos e penguar Kosovën në integrime!
Alo, Bajden, Borell, Llajçak…nëse ai s’e implementon atë pikë, pse Kurti ta bëjë Asociacionin, çka i jeni varë në qafë njeriut?!
Pardon, jo asociacion, vetadministrim…(Dikur Enveri vetëqeverisjen e Titos e quante vetadminsitrim. Çështje gjuhësore apo politike?)
Asocicion ka njohje s’ka, thotë opozita për t’ia përkujtuar Albinit çka ka folur dikur.
Për Albinin dhe Nexhin “Mitrovicën”, Serbia defacto e ka pranuar Kosovën…Sepse i pranon simbolet dhe të dy vendet hapin përfaqësi diplomatike te njëra tjetra…
Në të vërtetë, të gjitha këto këndvështrime, kanë lidhje me një fjalë që ka të bëjë me filmin “Rashomon” të Akira Kurosavës, ku gjithkush e tregon të vërtetën subjektive që do vetë…
Pra, një rashomoni totale.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)