Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi, të gjitha institucionet kompetente obligohen që të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkohë deri në gjashtë muajsh, institucionet obligohen t’i zbatojnë obligimet e theksuara në nenin 7 që ka të bëjë me tabelat-emrat e institucioneve dhe vulat e tyre
Destan JONUZI
Shkup, 22 shkurt – Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua në fillim të vitit 2018, ndërsa pas peripetive të kohabitimit institucional midis Parlamentit dhe Presidentit të shtetit, ligji në fjalë u publikua më 14 janar 2019 në “Gazetën zyrtare, nr.7/2019”. Shpallja e ligjit për shkak të refuzimit të presidentit për ta nënshkruar Dekretin, për herë të parë në historikun juridiko-politik pas pavarësimit të vendit u realizua me fusnotë, shkruan gazeta KOHA.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në nenin 13 dhe 14 parasheh të drejtën e përdorimit të gjuhëve edhe për qytetarët që flasin gjuhë tjetër më pak se 20% si dhe alfabetin e gjuhës së tyre për të dhënat personale që shënohen në letërnjoftimet dhe formularin e dokumentit të udhëtimit dhe fletudhëtimit, por me kërkesë të tyre. Ndërsa komunave u lihet mundësia që me Statut të rregullojnë përdorimin e gjuhës të cilën e flasin më pak se 20% e qytetarëve në komunën përkatëse.
ZBATIMI NË PRAKTIKË
Për zbatimin e ligjit për përdorimin është paraparë që të themelohet edhe Agjencia për Zbatimin e Ligjit të gjuhëve. Zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha, njofton se konkursi për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë, tanimë është mbyllur dhe se pritet që Qeveria të emëron drejtorin e këtij institucioni të ri.
“Konkursi është shpallur më 7 shkurt dhe është mbyllur me 13 shkurt, gjithsej për këtë pozitë kanë aplikuar 19 kandidatë. Pas përfundimit të konkursit shërbimet kompetente do ti shqyrtojnë kandidaturat dhe më pas do të vendos komisioni kadrovik i Qeverisë. Komisioni kadrovik i Qeverisë duhet të vendos deri ditën e martë dhe të sjell propozim në Qeveri, ku do të shqyrtohet mundësia e emërimit në bazë të dispozitave ligjore. Në këtë fazë ku vetëm se janë shpallur zgjedhjet presidenciale, Qeveria do të konsultohet me organet gjegjëse, ndoshta edhe në rast nevoje edhe me Komisionin për anti-korrupsion, se a ka të drejt që të emërojë në këtë periudhë drejtorin apo jo. Nëse nuk ka asnjë pengesë ligjore atëherë drejtori i Agjencisë për zbatimin e ligjit të gjuhëve do të emërohet në seancën e radhës. Vendimi do të merret në përputhje me dispozitat ligjore”, njoftoi Hoxha. Hoxha bëri të ditur se drejtorin për Agjencisë për Zbatimin e Ligjit të gjuhëve e emëron dhe shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Në këtë fazë nuk mund të emërohet ushtrues detyre drejtor për arsye se bëhet fjalë për një institucion të ri, i cili është formuar në bazë të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Drejtori i ri do të ketë për obligim të bënë edhe riorganizimin e institucionit të ri me sistematizimin e vendeve të reja të punës dhe të gjitha aktet tjera të nevojshme për funksionimin e institucionit. Do të bëhen analiza do të shikohet mundësia që të shfrytëzohet kuadri aktual, por varësisht prej analizave do të merren edhe vendime për punësimin e kuadrove shtesë”, deklaroi Hoxha për KOHA. Agjencia për zbatimin e ligjit të gjuhëve ka kompetenca të përcaktuara në mënyrë të qartë në nenin 19 të ligjit, ndër të tjera do të jetë kompetente për lekturimin e të gjitha akteve që do të botohen në Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, që Inspektorati i cili në bazë të dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve do të mbikëqyrë ecurinë e zbatimit të ligjit, do të jetë një organ në vete i themeluar nga Ministria e Drejtësisë, por me një ligj të posaçëm. Nga Qeveria për gazetën KOHA thonë se tanimë Qeveria i ka kërkuar Mininistrisë së Drejtësisë që në afat prej 15 ditësh ti dorëzojë propozim ligj për themelimin e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Nga ana tjetër ministrja Renata Deskoska i tha gazetës KOHA se të punësuarit në këtë ministri vetëm se kanë filluar me punë për hartimin e ligjit për Inspektoratin. “Jemi në fazën e përgatitjes së Ligjit. Të punësuarit në ministri kanë filluar me punë. Inspektorati duhet të filloi me punë për 6 muaj”, deklaroi Deskoska.
IMPLEMENTIMI KËRKON KOHË
Juristi, Qenan Aliu vlerëson se implementimi i këtij ligji me kapacitet të plotë kërkon shumë vite. “Implementimi faktikisht do të fillojë pas një viti e gjysmë. Nuk do të has në gatishmëri të plotë për zbatim nga maqedonasit. Gjobat e parashikuara janë përcaktuar por zbatimi i tyre është i vështirë. Ndërkaq aktet nënligjore, duhet ta rregullojnë se si ligji do të zbatohet në seancat gjyqësore, para noterit, a do ta paguaj pala gjoja aktin e lëshuar në dy gjuhë apo tek përmbaruesit etj . Ka shumë sfida, nëse gjykata vendosë me precedentin e 1997, ligji do të bjerë dhe duhet nga fillimi procedura e miratimit etj.”, deklaroi për gazetën KOHA, Qenan Aliu, jurist.
Profesoresha universitare, Besa Kadriu thekson se pas krijimit të tensioneve politike në Maqedoni, subjekte të reja politike që u krijuan, periudha e vitit 2016 e këndej, shënoi bujë edhe në ngritjen e shumë çështjeve politike rreth avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë Veriore, ku në mes të tjerash u shënua edhe një akt i rëndësishëm, elementi i zyrtarizimit të gjuhës në suaza të institucioneve qendrore dhe lokale. “Sigurisht, krahas zyrtarizimit, tanimë në vazhdën edhe të implementimit praktik, ka shumëçka që duhet të marrë trajtën e duhur. Fillimisht duhet formuluar edhe shumë shumë përmbajte të akteve t ndryshme në veprimtarinë e punës së organeve të administratës, të fillojnë të aplikojnë zbatimin praktik në aspektin përmbajtësor të akteve juridike në dygjuhësi sepse ky është tanimë një detyrim ligjor, për të cilin autoritetet duhet të marrin masa dhe sanksione në rast të mos realizimit ligjit në fjalë. Duhet ë jemi optimistë që gjërat po fillojnë të lëvizin nga e mbara”, thekson profesoresha Kadriu.
AFATET PËR ZBATIMIN E LIGJIT
Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që ti miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji. Në afat prej gjashtë muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, institucionet obligohen ti zbatojnë obligimet e theksuar në nenin 7 që ka të bëjë me tabelat-emrat e institucioneve dhe vulat e tyre. Qeveria obligohet menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji të zhvillojë program për ngritjen e vetëdijes publike për zbatimin e këtij ligji. Ndërsa në afat prej një viti, dispozita e ligjeve tjera që tangojnë gjuhët do të harmonizohen me dispozitat e këtij ligji. Në rast të mosharmonizimit të dispozitave të këtij ligji, me dispozitat për gjuhët të ligjeve tjera, organet kanë për detyrë të zbatojnë dispozitat e këtij ligji. Si rezultat i tensionimit politik nga konstituimi i Qeverisë së re, me të cilën temë boshte atëherë ishte statusi i gjuhës shqipe, pas hyrjes në fuqi të tij, për qëllime të ndryshme pranë Gjykatës Kushtetuese janë ngritur disa iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë të këtij ligji, si dhe me iniciativë të qeverisë i njëjti është i dërguar edhe në Komisionin e Venedikut për mendim.
Ligji, shikuar në frymën e tij nuk cenon amendamentin kushtetues që trajton këtë sferë. I vetmi risk ka të bëjë me faktin, nëse edhe kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese do të zbatojë precedentin e një përbërje tjetër të viti 1997, e cila atëherë abrogoi një ligj i cili ishte i shpallur me Dekretin ku kishte firmosur kryetari i Parlamentit edhe në vend të Presidentit, e që në rastin e fundit shpallja e ligjit ka të bëjë me FUSNOTË për shkak të shkeljes së dispozitës kushtetuese nga kryetari i vendit duke refuzuar ta dekretojë. (koha.mk)