Një futboll ofensivë, me zotërim të lartë topi në aksin vertikal, pra duke sulmuar, i frymëzuar nga Barcelona e Krojfit dhe Guardiolës, Ajaksit të Van Galit, Milanit të Ançelotit dhe Juventusit të Kontes. Një sistem loje i bazuar mbi kolektivin, por i zoti për të ekzaltuar cilësitë e individualiteteve, por me topin që duhet të jetë në qendër të gjithçkaje. Në idetë e Pirlos topi duhet zotëruar shumë, por këtë kërkon ta bëjë në zonën sulmuese dhe mbi të gjitha, të rikuperohet me egërsi në fazën e moszotërimit, për të dominuar teknikisht dhe psikologjikisht kundërshtarin. Janë këto principet bazë të futbollit të trajnerit juventin, të ekspozuara në tezën “Futbolli që unë dua”, me të cilën Andrea Pirlo mori patentën “UEFA Pro”, duke u vlerësuar me 107 pikë nga 110 të mundshmet, një dokument me 30 faqe në të cilin “Maestro” ka ekspozuar të gjitha idetë dhe gjurmën që kërkon të lërë te Juventusi dhe jo vetëm.
Loja e 41-vjeçarit nuk nis nga një sistem fiks:
“Në fazën ofensive nuk kemi një modul fiks, por një pozicion të lëvizjeve në fushë të futbollistëve, të cilëve u kërkohet jo vetëm superioritet numerik, i cili sjell larmishmëri dhe zgjidhje të shumta të pasimit, por mbi të gjitha krijimin e të luajturit sa më shumë në thellësi, me sulme të vazhdueshme ndaj zonës kundërshtare”, pohon Pirlo.
Për Pirlon, siç shpjegon ai në diplomën e tij, thelbësore do të jetë “një dalje e pastër e topit mes korridoreve të pozicionimit të kundërshtarëve dhe zhvillimi i aksionit”. Juventusi do të kërkojë që të “ndërtojë lojën gjithmonë nga mbrapa, një organizim i fazës ndërtuese në bazë të presionit kundërshtar”. Portieri do të jetë një lojtar i shtuar në prapavijë, madje në idetë e Andreas, “portieri përveçse duhet të jetë kurajoz për të kërkuar pozicionime të avancuara (alla Nojer pra, larg portës), në të njëjtën kohë duhet të jetë i zoti që të gjejë edhe pasime filtruese, në mënyrë që të provokojë shmangien e presionit të kundërshtarit, kur skuadra e qarkullon topin në zonën tonë”. Me pak fjalë, harrojini pasimet e gjata apo vertikalizimet pa adresë nga ana e Sheznit apo Bufonit te Juventusi i sezonit të ardhshëm, por pa u nxituar kurrsesi:
“Linjat e presingut nga rivalët nuk mund të jenë vetëm ato në fazën ofensive, në të gjithë fushën. Prandaj ideja ime është që këto linja presingu t’i kalojmë një nga një, pa u sforcuar, në mënyrë që në rast të humbjes së topit, të mos gjendemi të zbuluar në fazën tonë mbrojtëse”, vazhdon teza e “Maestros”.
Nëse kryefjala e qarkullimit të topit duhet të jetë krijimi i një rombi lojtarësh rreth atij që ka topin nën kontroll, për të qarkulluar me më shumë qetësi, në fazën sulmuese, skema e tij ideale e zgjedhur si 3-5-2, duhet të shndërrohet në një 3-2-5, apo qoftë në një 2-3-5, me anësorët e mesfushës që duhet të shtyjnë sa më thellë në korsitë anësore të zonës rivale, ndërsa sulmuesit dhe dy mesfushorët e qendrës duhet të jenë të gjithë të drejtuar me fytyrë nga porta rivale, për të krijuar thellësinë dhe për të arritur me më shumë forca në finalizimin e aksioneve.
Shkurt, ideja “Pirlo” që në letër mori 107 pikë nga 110 të mundshmet dhe baza e saj është të mbrosh duke sulmuar, tani pritet që këto ide të nisin të zbatohen nga Ronaldo me shokë, duke nisur nga ndeshja e të dielës mbrëmje, kundër Sampdorias.