Avokati i mësuesit turk të rrëmbyer nga Kosova, Mustafa Erdem, ka zbardhur xhirollogarinë e tij pas disa informacioneve të pavërteta të shpërndara në media nga AKI me qëllim legjitimimin e veprimit të paligjshëm ndaj tyre. Në informacionet që AKI qarkulloi në media të caktuara flitej për shuma kolosale prej 60 milionë euro që qarkulloheshin sipas tyre nga mësuesi në fjalë.
Vlen të theksohet fakti se shuma të tilla i qarkullojnë maksimumi 3-4 korporata në Kosovë dhe as që mund të merren në konsideratë kur bëhet fjalë për individë. Në fakt, në xhirollogarinë e publikuar nga avokati i Erdem duket se ai ka aty vetëm të ardhurat nga paga, të cilat janë rreth 1 mijë euro në muaj.
“Ju lutem gjeni te bashkangjitur raportin e xhirollogarisë bankare për vitin 2017-2018 për klientin tim Mustafa Erdem. Kjo dëshmi është gjetur në shkresat e lendes se tij në aplikimin e bërë gjate muajit mars për lejeqëndrim të përhershëm në Kosovë. Pra e njëjta dëshmi gjendet edhe pranë MPB-së – DSHAM-së.
Duke qenë se për momentin e kemi të pamundur që unë si avokat apo qoftë edhe bashkëshortja e tij të kemi qasje në llogarinë e tij personale për të nxjerr raportin e tërësishëm, ju ofrojmë dëshminë gjendjen e llogarisë të cilën e kemi në dispozicion. Megjithatë, posa të kemi qasjen e tërësishme në llogarinë e tij, do të mund të ofrojmë edhe dëshmi tjera për gjendjen e tij financiare dhe transaksionet e kryera. Për më tepër, ftojmë organet e rendit që në bazë të kompetencave të tyre ligjore të publikojnë një raport të tillë dhe të gjithë të binden për pafajësinë e tij”, thuhet në deklaratën e avokatit.