Shërbimet sekrete hungareze ndihmuan Nikolla Gruevskin të arratisej nga Maqedonia. Dyshimet i hedh e përditshmja online Politico.euqë citon burime që kanë njohuri për këtë çështje, siç shkruan në një shkrim të publikuar të dielën.E përditshmja nuk jep informacione të detajuara mbi këto dyshime. Por shkruan se ka kontaktuar zëdhënësin e qeverisë hungareze, i cili nuk preferoi të përgjigjet. Publikisht dihet se ish-kryeministri maqedonas hyri në territorin shqiptar më 11 Nëntor ku vizitoi ambasadën hungareze në Tiranë. Ministria e Jashtme hungareze pranoi se ai u shoqërua nga dy diplomatë hungarezë me një automjet të trupit diplomatik drejt Malit të Zi, Serbisë e deri sa hyri në territorin hungarez më 13 Nëntor.
Opozita hungareze pritet të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin Gruevski. Ndërsa ka kërkuar që ish-kryeministri maqedonas i dënuar me burg për korrupsion në vendin e tij, të mos mbrohet nga Hungaria. Por kryeministri hungarez Viktor Orban e quajti Gruevskin, “aleat” që ndihmoi Hungarinë gjatë krizës së emigrantëve./sotnews