Shkup, 10 shtator – Kryeministri Zoran Zaev pret që në takimin e sotëm të liderëve me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Kristijan Mickoski të tregohet përgjegjësi dhe të tentohet të gjendet zgjidhje për Ligjin për Prokurorinë Publike. Për insistimin e opozitës të diskutojë edhe për zgjedhjet e parakohshme, thotë se kjo është një kërkesë e ligjshme, por që kjo është një periudhë e papërsëritshme kur fokusi duhet të jetë në anëtarësimin e plotë të NATO-s dhe fillimin e negociatave të pranimit në BE, njofton Koha.mk
“Unë pres përgjegjësi para së gjithash. Në fund të fundit, qytetarët këtë po presin nga ne, por edhe BE-ja përmes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian gjithmonë presin që ne të shkojmë një hap më tej. Edhe pse ligji për prokurorinë publike nuk është pjesë e raportit evropian në bazë të së cilit vendoset formalisht në Këshillin Evropian në mesin e tetorit, ne duhet ta zgjidhim këtë çështje për hir të qytetarëve dhe presim përgjegjësi. Këto nuk janë çështje të pazgjidhshme, thjesht duhet të jemi përgjegjës para sistemit, ndaj shtetit dhe natyrisht ndaj qytetarëve”, tha Zaev.
Për kërkesën e zgjedhjeve të parakohshme tha se është legjitime që opozita të kërkojë gjithmonë diçka. Përsëriti se periudhë e pranueshme për këtë do të ishte tetori i vitit 2020.
“Unë nuk kam dilema që të bisedohet për çfarëdo lloj çështje. Normalisht qëndrimet tona janë gjithçka që është në interes të vendit. Mendoj se kjo është me të vërtetë një kohë e cila nuk do të përsëritet për vendin tonë në të cilën do të presim fillimin e negociatave, anëtarësim të plotë në NATO, kështu që duhet t’i japim shans edhe shtetit juridik edhe ekonomisë, para së gjithash dhe mbi të gjitha prandaj thashë se duhet të vazhdojmë deri në fund të mandatit. Ata kërkuan zgjedhje të parakohshme, komenti im ishte “OK” le të jenë në fund të tetorit të vitit 2020, sepse realisht dhjetori është dimër dhe i mbështesim këto qëndrime. Do të bisedojmë, unë nuk i di se cilat janë argumentet për kërkesën e zgjedhjeve të parakohshme, por ne nisemi prej asaj çka është me të vërtetë e mirë për vendin tonë”, tha Zaev. (koha.mk)