Nju-Jork, 24 prill – SHBA-ja duhet të jetë e përgatitur për pasojat nëse tenton ta parandalojë Iranin të shesë naftë dhe ta shfrytëzojë Ngushticën e Hormuzit, paralajmëroi sot ministri iranian i Punëve të Jashtme, Mohamad Xhavad Zarif, duke i ofruar negociata Uashingtonit në këmbim të të burgosurve, përcjellë KOHA.
SHBA-ja të hënën kërkoi nga furnizuesit e naftës iraniane të ndërprejnë së bleri deri në maj ose do të përballen me sanksione.
“Besojmë se Irani do të vazhdojë ta shesë naftën e vet. Do të vazhdojmë të gjejmë blerës për naftën dhe më tej do ta shfrytëzojmë Hormuzin si kalim të sigurt tranzit për shitjen e naftës tonë”, deklaroi Zarif në Nju-Jork.
Duke e konfirmuar qëndrimin e liderit suprem, ajatollahut Ali Hamnei, Zarif paralajmëroi: “Nëse SHBA-ja ndërmerr masa jonormale, duke tentuar të na ndalojnë ta bëjmë atë, atëherë duhet të përgatiten për pasoja”.
Çmimet e naftës dje arritën nivelin më të lartë prej nëntorit, pas publikimit të Uashingtonit.
I pyetur nëse fushata amerikane e presionit ndaj Teheranit është e kahëzuar drejt provokimit të negociatave të mëtutjeshme apo ndryshimit të regjimit, Zarif tha: “Ekipi B dëshiron më së paku ndryshim të regjimit”.
Sipas tij, “Ekipi B” është “dyshja”, të cilën e përbëjnë kryeministri Benjamin Netanjahu dhe këshilltari i Trampit për siguri nacionale, Xhon Bolton.
Zarif foli për mundësinë e bashkëpunimit me SHBA-në me qëllim që të sjellë stabilitet në Irak dhe Afganistan, prioritet edhe për Teheranin e edhe për Uashingtonin.
Ai, gjithashtu, tha se është i gatshëm për këmbim të punonjëses humanitare britaniko-iraniane, Nazanin Zagari-Retklif, e cila u arrestua në Iran në vitin 2016, me një iraniane, e cila ndodhet në burg në Australi në tre vitet e fundit, ndërkaq me kërkesë të SHBA-së për ekstradim.
Zarif deklaroi se Irani para gjashtë muajve e porositi SHBA-në se është i hapur për këmbim të të burgosurve, por se ende nuk ka marrë përgjigje.
“Ejani ta bëjmë këmbimin. Jam i gatshëm ta bëj atë dhe kam autorizim për ta bërë atë”, tha Zarif. (koha.mk)