Nikolo Zaniolo është një nga talentet më shpresëdhënës të futbollit italian. 20-vjeçari i cili aktivizohet me Romën, falë cilësive të tij është kthyer në një titullar të padiskutueshëm për verdhekuqtë, ndërsa nuk mungojnë edhe krahasimet me Totin. Sakaq, Zaniolo është bërë pjesë e Kombëtares nga trajneri Mançini, teksa së fundmi ka treguar se kur ka marrë ftesën nga axurrët ka shpërthyer në lot.
“Ftesa e parë në Kombëtare ishte një surprizë. Isha në një darkë me miqtë e mi, shikoj emrin tim te lojtarët e grumbulluar dhe mendova se ishte ndonjë gabim. Pastaj lajmi nisi të qarkullonte dhe u shpërnda menjëherë. Telefonata me menaxherin e skuadrës i dha fund çdo dyshimi, dhe më konfirmoi pjesëmarrjen në Kombëtare. Më tha se pas dy ditësh duhej të paraqitesha në Koverçano ndërsa nuk mund të mbaja lotët.
Kam telefonuar mamanë dhe babain dhe nisën të qanin edhe ato. Ishte një fundjavë perfekte, nuk kam fjetur dy net. Në Koverçano isha një fëmi në parkun e lojrave. Edhe tani nuk e kuptoj të gjithë atë se çfarë po bëj”, tha Zaniolo. Ndërkohë, Zaniolo tregoi se në fushë preferon të aktivizohet më shumë në rolin e trekuartistit pasi në fushë kërkon të argëtohet dhe në këtë rol ka më shumë mundësi ta bëj. Megjithatë, karakteristikat e lejojnë të luajë edhe si anësor në sulm, siç po luan me Romën në këtë sezon.