Interi ishte një hap larg nga marrja e talentit argjentinas, Paulo Dybala, kur ky i fundit luante me rozët e Palermos. Për të konfirmuar këtë fakt, duke folur për “La Voz”, ka menduar zv.presidenti aktual zikaltër, Javier Zanetti. Ky i fundit, gjithashtu, donte të jepte mendimin e vet në lidhje me mosthirrjen e Mauro Icardi nga kombëtarja e Argjentinës: “Ne ishim shumë afër marrjes së Dybala tek Interi, por në fund marrëveshja dështoi të materializohej. Megjithatë, e kemi admiruar duke luajtur, edhe pse tani është pjesë e kundërshtarit tonë, Juventusit. Nga këndvështrimi im, shpresoj se ai mund të bëjë gjëra të mëdha me fanellën e Argjentinës.”
Ish-kapiteni i Interit është i bindur se herët a vonë do të vijë ftesa e kombëtares argjentinase edhe për Icardi, siç ndodhi me Dybala. Sepse, sipas tij, shansi për të veshur fanellën e Albiceleste duhet merituar në fushën e lojës, me paraqitje të mira në klubet respektive të lojtarëve: “Kam folur me trajnerin Bauza. Unë nuk mendoj se Icardi është hedhur poshtë për arsye joobjektive. Jam i sigurt se herët a vonë do të vijë shansi i tij tek Argjentina. Ai e meriton këtë, sepse është kapiteni ynë dhe me golat e tij na ka udhëhequr përpara këtë sezon.” Javier Zanetti ka besim të madh në lidhje me të ardhmen e Interit, kur pyetet për pronarët e rinj: “Suning është një kompani serioze, e cila ka në fakt ambicie të mëdha për Interin. Mendoj se jemi gati për të rihapur një tjetër cikël mbresëlënës”. (telesport.al)