Një nga mospajtimet për krijimin e shtetit palestinez dhe definimin e kufijve të tij është edhe Jerusalemi, të cilin qytet edhe izraelitët edhe palestinezët e konsiderojnë të shenjtë dhe synojnë ta kenë kryeqendër.
Shruan: Artan S. MEHMETI, Prizren
Jerusalemi, që ndryshe njihet edhe si Kudus, është një qytet i lashtë, i cili gjendet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe është i vendosur mes Detit Mesdhe dhe Detit të Vdekur, përkatësisht në lindje të Tel Avivit, në jug të Ramallahut, në perëndim të Jerikosë dhe në veri të Betlehemit, në një lartësi prej 650-840 m mbi nivelin e detit. Jerusalemi ka një popullsi prej 801.000 banoresh (2012). Ai është një qytet heterogjen dhe përfaqëson shumë kombësi, fe dhe grupe ekonomiko-shoqërore. Pjesa e quajtur “Qyteti i Vjetër” është e rrethuar nga mure dhe përbehet nga: lagjja myslimane, lagjja armene, lagjja hebraike dhe lagjja e krishterë.
Jerusalemi është qyteti më i njohur në mbarë historinë e njerëzimit. Një e treta e popullsisë së botës e konsideron atë të shenjtë. Ky qytet i shenjtë për tri fetë ka rendësi të veçantë për myslimanet, hebrenjtë dhe të krishterët. Për hebrenjtë është i shenjtë, sepse në të gjendet Muri i Vajtimit dhe Tempulli i Solomonit, për muslimanët është vendi i tretë i shenjtë pas Mekkës e Medinës, sepse në të ndodhet Xhamia El-Aksa – xhamia e dytë, që Ibrahimi a.s. e ndërtoi 40 vjet pas Qabesë, ndërsa ajo ishte kibla e parë e myslimanëve gjatë lutjeve të tyre. Ndërkaq për të krishterët është i shenjtë sepse në të gjendet varri i Jezuit, kjo sipas bindjes së tyre.
Historia e konfliktit mes izraeliteve dhe palestinezeve rreth Jerusalemit
Historia e Jerusalemit është shumë e vjetër. Mendohet se ky qytet është formuar 5000 vjet më parë. Përmendjet e para të këtij qyteti nga burimet historike kanë filluar që në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. I pari që e ka ndërtuar qytetin ka qenë sundimtari i fuqishëm kananit, që quhej Melchizedek (‘mbret i drejtë’). Ai e quajti vendin Jerusalem. Ky vend më herët quhej ‘Salem’, që do të thotë “i plotë” ose “pa defekt”. Kështu Jerusalem do të thotë “qytet i përsosur” ose “qyteti i atij që është i përsosur, qyteti i paqes”, arabisht – El-Kuds. Kryeqytet i mbretërisë çifute të Izraelit, Judahs dhe Judesë, u bë në periudhat e Tempullit të Parë dhe Tempullit të Dytë. Përveç periudhës mes shekujve XV-XIII p.e.s., kur ka qenë i okupuar prej faraonëve egjiptianë, ai ka qëndruar nën sundimin e kananitëve deri në vitin 1.000 para erës së re, kur u pushtua nga mbreti i hebrenjve Davidi, i cili e shpalli Jerusalemin qytet kryesor të mbretërisë së Judës, kurse i biri i tij, Solomoni, e ndërtoi aty tempullin e njohur të Solomonit. Pas vdekjes së Solomonit, Judeja u bë shtet vasal, kurse në vitin 587 para erës së re u zhduk plotësisht nga babilonasit. Që nga viti 587 para erës së re pushteti hebraik u ndërpre. Në vitin 70 të erës sonë perandori romak Titus e shkatërroi qytetin e Jerusalemit dhe e dogji Tempullin. Të dyja kryengritjet e hebrenjve kundër okupatorit romak, njëra në vitin 70 e tjetra në vitin 135 të erës së re, u shuan. Pas shuarjes së kryengritjes së dytë, të cilën e udhëhoqi Bar Kobhi, Orjanosi i zhduki tërësisht të gjitha shenjat e qytetit, i vrau hebrenjtë dhe në Palestinë u ndërpre ekzistenca e bashkësisë hebraike. Në vitin 638 të epokës së re Jerusalemi është marrë nga kalifi i dytë, Omeri (r.a.). Jerusalemi ka qenë pjesë e shtetit islamik, me përjashtim të 88 vjetëve kur u pushtua nga kryqtarët (1099-1187), deri në 9 dhjetor të vitit 1917, kur u pushtua nga forcat britanike. Britanikët e pushtuan Jerusalemin gjatë Luftës së Parë Botërore dhe, nëpërmjet Deklaratës së Balfour-it, e mbështetën idenë e një toke mëmë për hebrenjtë në Palestinë. Tridhjetë vjet më vonë, Kombet e Bashkuara e ndanë vendin. Jerusalemi gjithashtu u nda si pasojë e fitores së Izraelit më 1948 në “Luftën e Pavarësisë”.
Nga viti 1948 deri më 1967 pjesa perëndimore e Jerusalemit qeverisej nga Izraeli si kryeqytet i tij, ndërsa Jerusalemi Lindor qeverisej nga Jordania. Qyteti u ribashkua me fitoren e izraelitëve në Luftën Gjashtëditore, megjithatë statusi i tij mbetet i diskutueshëm. Një ligj i nxjerrë nga izraelitet në vitin 1980-të e shpalli Jerusalemin “kryeqytet i amshuar e i pandashëm” i Izraelit, kurse Jerusalemi Lindor besohet të jetë menduar kryeqytet i shtetit të ardhshëm palestinez . Statusi i vendeve të shenjta të Jerusalemit është po ashtu i diskutueshëm.
Qyteti ka qenë pjesë e Bregut Perëndimor deri në vitin 1967. Në vitin 1952 Izraeli vendosi që në pjesën perëndimore të tij (që ishte nën administrimin e shtetit hebraik) të ndërtohej një qytet i ri, Jerusalemi Perëndimor, që do të shërbente si kryeqytet i këtij shteti. Pas vitit 1967, kur Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor, e kaloi Jerusalemin nën varësi të tij, si kryeqytet i pandarë i shtetit izraelit. Kjo nuk është pranuar nga asnjë shtet dhe, me disa përjashtime të vogla, të gjitha vendet i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Vendet katolike e bindën OKB-në që Jerusalemi, për shkak të rëndësisë së tij fetare, të bëhet qytet ndërkombëtar, prandaj, në përputhje me këtë, UNSCOP-i e ka hedhur poshtë kërkesën e sionistëve që qyteti i shenjtë të bëhet pjesë e shtetit të ardhshëm hebraik.
Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të kalojë në varësi të shtetit të ri palestinez dhe të jetë kryeqytet i tij, por izraelitët deklarojnë se gjithë qyteti është kryeqytet i Izraelit. Në vitin 2000, në Kemp Dejvid, të dyja palët arritën një marrëveshje, sipas së cilës, Jerusalemi do të ndahej dhe pjesa lindore do t`i kalonte Palestinës. Por, lagjet e reja të krijuara në zonën lindore nga kolonë izraelitë do të ishin nën sovranitetin e Izraelit dhe qyteti do të ishte i hapur me forca sigurie të përbashkëta nga të dyja vendet.
Siç u tha edhe më lart, në këtë qytet ndodhet edhe xhamia El-Aksa, e cila për myslimanët (palestinezët) është xhami e shenjtë, kurse izraelitët e konsiderojnë si pengesë për kolonizimin e Jerusalemit dhe për këtë arsye duan që ta rrënojnë.
Xhamia El-Aksa dhe planet për shkatërrimin e saj
Xhamia El-Aksa (Mesxhidul Aksa), e cila ndodhet në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, është vendi i tretë më i shenjtë në Islam. Është xhamia e dytë në Tokë, e ndërtuar dyzet vite pas Qabesë në Mekke. El-Aksa ndryshe njihet si El-Haram Esh-Sharif ose “Faltorja Fisnike” gjenden në Malin e Tempullit, vendin më të shenjtë në Judaizëm. Myslimanët besojnë se profeti Muhammed (a.s.) është transportuar nga xhamia e shenjtë në Mekke deri në El-Aksa gjatë Natës së Israsë dhe Miraxhit dhe nga aty u ngrit në qiell. Muri i Burakut ose Muri Perëndimor është muri ku Muhammedi (a.s.) e lidhi Burakun (kafshën e tij udhëtuese) në Natën e Israsë dhe Miraxhit dhe këtë mur hebrenjtë sot e quajnë Muri i Vajtimit. Gjithashtu, një periudhë, Muhammedi (a.s.) është falur (lutur) në drejtim të kësaj xhamie, deri në kohën kur Allahu e urdhëroi atë që të drejtohet kah Qabeja.
Izraeli e ka pushtuar xhaminë El-Aksanë vitin 1967. Hebrenjtë fundamentalistë kanë bërë me qindra përpjekje për ta rrënuar xhaminë El-Aksa që kur e kanë okupuar më 1967. Një zjarr i shkaktuar nga ata e ka shkatërruar një pjesë të vjetër 900 vjet, të vendosur nga Heroi i Madh Salauddin Ejubi. Hebrenjtë dëshirojnë ta hedhin në erë dhe ta shkatërrojnë xhaminë El-Aksa dhe, në vend të saj, ta vendosin Tempullin Hebraik.
Regjimi sionist, i cili në të kaluarën, gradualisht, ka bërë përpjekje për të jahudizuar Bejtul Mukadesin dhe për ta shkatërruar xhaminë El-Aksa, që prej disa vitesh e ka përshpejtuar këtë proces. Izraeli bën përpjekje për ndërtimin e sinagogës El-Kharab në afërsi të xhamisë El-Aksa dhe vendimi tjetër i regjimit sionist është për ndërtimin e 1600 banesave në lindje të Bejtul Mukadesit, të cilat e tensionuan edhe më shumë situatën dhe shkaktuan irritim te palestinezët. Se kjo kundërshtohet me forcë nga ana palestineze, duket edhe përmes protestave palestineze, të cilat po shtypen me dhunë nga forcat izraelite, nga të cilat po mbeten të vrarë edhe shumë fëmijë, gra, burra dhe të moshuar.
Sinagoga El-Kharab, që në gjuhën hebraike quhet Hahurba, u ndërtua në fillim të shekullit të 18-të dhe pak më vonë u shkatërrua, por pas një farë kohe u ndërtua përsëri. Kjo sinagogë u shkatërrua në vitin 1948 gjatë luftës mes arabëve dhe regjimit sionist. Që prej asaj kohe regjimi sionist, me propaganda mashtruese, u përpoq ta krijonte bindjen se kjo sinagogë ka vlera të mëdha historike dhe fetare dhe, në këtë mënyrë, gjeti pretekstin për rindërtimin e kësaj sinagoge. Kjo sinagogë ndodhet në afërsi të xhamisë El-Aksa, kibleja (vendi nga drejtoheshin myslimanet gjatë namazit) e parë e myslimanëve, andaj sionistët ekstremistë rindërtimin e saj e konsiderojnë si shenjë të ndërtimit të tempullit të Sulejmanit mbi rrënojat e xhamisë El-Aksa. Ky mendim është krijuar në bazë të një parashikimi të një rabini sionist në shekullin XVIII dhe është shndërruar në pretekst për shkatërrimin e xhamisë El-Aksa dhe të objekteve të tjera të shenjta të myslimanëve dhe të të krishterëve. Regjimi sionist, në vitin 2001, e miratoi planin për ndërtimin e sinagogës El-Kharab. Kjo sinagogë u inaugurua më 15 mars, me mesazhin e kryeministrit ekstremist të regjimit sionist, Beniamin Netanjahu. Sipas besimit të sionistëve, dita pas ndërtimit të kësaj sinagoge shënon ditën e fillimit të ndërtimit të tempullit të Sulejmanit, që duhet të ndërtohet mbi rrënojat e xhamisë El-Aksa.
Pas këtij veprimi arrogant të regjimit sionist, që ishte një agresion i hapur ndaj objekteve të shenjta të myslimanëve, populli i Bejtul Mukadesit dhe i rajoneve të tjera palestineze zhvilloi protesta kundër regjimit sionist dhe, në këto protesta, dhjetëra palestinezë u plagosën dhe u arrestuan. Regjimi sionist ka bërë përpjekje të shumta për shkatërrimin e xhamisë El-Aksa edhe në të kaluarën, siç është edhe gërmimi i tuneleve nën themelet e kësaj xhamie. Këto tunele i kanë dobësuar themelet e xhamisë El-Aksa, ndërsa në vitin 1970 një sionist ekstremist e dogji një pjesë të kësaj xhamie të shenjtë. Sionistët deklaruan se për t’i kultivuar idetë sioniste e kanë ndër mend të ndërtojnë qendra fetare dhe 62 tempuj çifutë në rrethinat e xhamisë El-Aksa, duke bërë të mundur kështu rrethimin e kësaj xhamie.
Sionistët tashmë shprehen hapur se e kanë në plan që së shpejti ta shkatërrojnë xhaminë El-Aksa dhe mbi rrënojat e saj ta ndërtojnë tempullin e Sulejmanit. Palestinezët gjithmonë kanë qenë mbrojtës të kësaj xhamie të shenjtë dhe regjimi sionist e di se, me praninë e banorëve palestinezë në Bejtul Mukadesin lindor, shkatërrimi i xhamisë El-Aksa nuk do të jetë diçka e lehtë. Për këtë arsye ky regjim po e ndjek projektin e jahudizimit të Bejtul Mukadesit dhe me pretekste të ndryshme i shkatërron banesat e palestinezëve dhe i detyron ata të largohen nga ky qytet, ndërsa në vend të tyre strehon kolonë çifutë. Deri tani në Bejtul Mukades janë ndërtuar shumë koloni çifute, në mënyrë që raporti demografik i këtij qyteti të ndryshojë në favor të sionistëve, por palestinezët kanë rezistuar përballë presioneve të regjimit sionist. Funksionarët sionistë, po ashtu, kanë bërë përpjekje për konfiskimin e identitetit kulturor të palestinezëve. Para disa kohësh monumentet historike, që u përkisnin palestinezëve, si tyrbja e Ibrahimit dhe xhamia Belal, u regjistruan në listën e trashëgimisë kulturore të regjimit sionist. Ky veprim shkaktoi protesta të ashpra të palestinezëve dhe BN. Sionistët e shkatërruan edhe xhaminë Selman Farsi në afërsi të qytetit Nablus. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë e regjimit sionist dha autorizimin për shitjen e territoreve të konfiskuara të palestinezëve.
Në bazë të konventës së Gjenevës, konfiskimi dhe shitja e territoreve në Bejtul Mukades konsiderohet e ndaluar, pasi Bejtul Mukadesi konsiderohet si territor i pushtuar. Sheikh Muhamed Ahmed Husein, myftiu i Bejtul Mukadesit, theksoi: “Me të tilla veprime pushtuesit e kanë programuar jehudizimin e territoreve arabe dhe palestineze dhe aneksimin përfundimtar të tyre”. Megjithatë, populli palestinez është i vendosur ta mbrojë tokën dhe kulturën e tij dhe, sidomos, xhaminë El-Aksa. Funksionarët palestinezë theksojnë se veprimet e fundit të regjimit sionist e kanë çuar Bejtul Mukadesin në prag të një shpërthimi të madh. Grupe politike dhe dijetarët fetarë palestinezë i kanë bërë thirrje popullit palestinez për vigjilencë dhe për të qenë i pranishëm në mbrojtjen e tokës, identitetit dhe kulturës së Palestinës. Këto grupe palestineze, gjatë takimit të zhvilluar në Damask, deklaruan se Populli Islam asnjëherë nuk do të heqë dorë nga Bejtul Mukadesi dhe objektet e tij të shenjta. Situata në Bejtul Mukades, pas ndërtimit të sinagogës El-Kharab është bërë aq e rrezikshme për regjimin sionist, saqë ky regjim i ka dislokuar 3 mijë forca policore në rrethinat e xhamisë El-Aksa dhe u ka bërë thirrje kolonëve çifutë të dalin nëpër rrugë për ta mbrojtur projektin e ndërtimit të tempullit të Sulejmanit. Roli i qeverisë ekstremiste të qeverisë së Netanjahut në zbatimin e këtyre planeve të rrezikshme dhe për shkatërrimin e xhamisë El-Aksa ka qenë tepër i madh.
Netanjahu, duke shpallur vendimin për ndërtimin e 1.600 banesave për kolonët çifutë në Bejtul Mukadesin lindor, e bëri të qartë qëllimin e tij të vjetër për jehudizimin e plotë të Bejtul Mukadesit. Ky vendim u shpall në një kohë kur nënpresidenti amerikan, Joe Biden, ndodhej për vizitë në Tel Aviv, ku deklaroi: “Izraeli ndodhet në zemrën time, Beniamin Netanjahu është një nga miqtë e mi më të mirë dhe Amerika është e angazhuar për mbrojtjen e Izraelit”. Anëtari i zyrës politike të Hamasit, z. Mahmud el-Zahar, deklaroi se palestinezët do ta mbrojnë xhaminë El-Aksa me gjakun e tyre dhe sinagogën El-Kharab do ta shkatërrojnë mbi kokat e sionistëve. Sipas Departamentit Mediatik të Drejtorisë së Vakëfeve, numri i kolonëve hebrenj, që kanë hyrë në oborrin e El-Aksasë mes viteve 2009 dhe 2016, ka arritur në 68.247. Vetëm gjatë vitit 2015, me mbështetjen dhe shoqërimin e forcave të sigurisë izraelite, 7500 banorë kanë hyrë në xhaminë El-Aksa dhe po ashtu 150 mijë turistë hebrenj e kanë shoqëruar këtë shkelje. Këta banorë janë mbështetësit e krahut të djathtë ekstrem të Netanjahu-t” Më 28.12.2016 rreth 176 kolonë, të mbështetur nga forcat speciale, e sulmuan kompleksin e xhamisë El-Aksa.
Tashmë situata në Bejtul Mukades dhe, sidomos, në xhaminë El-Aksa është me rrezikshme se asnjëherë më parë. Sulmi i fundit ndaj këtij objekti ndodhi në më 14 korrik, ditën e premte, kur policia izraelite vrau tre palestinezë në kompleksin El-Aksa, duke pretenduar se kanë sulmuar me armë, ndërsa deklaroi se gjatë incidentit janë plagosur dy policë izraelitë, të cilët kanë vdekur në spital. Pas incidentit forcat izraelite i mbyllën portat e kompleksit El-Aksa. Të dielën ata i hapën dy porta të saj, duke vendosur detektorë elektronikë të sigurisë. Palestinezët e kanë kundërshtuar këtë praktikë, duke protestuar dhe duke falur namazin para Portës së Luanit të kompleksit El-Aksa, ndërkohë që përballen me ndërhyrje të forcave izraelite. Të martën që kaloi, forcat izraelite ndërhynë ndaj besimtarëve që falën namazin e jacisë afër hyrjes së El-Aksasë, duke plagosur imamin e xhamisë, Ekrima Sabri. Ndërkohë, hebrenj fanatikë, të shoqëruar nga forcat policore, kohë pas kohe hyjnë në El-Aksa, gjë që shkakton reagimin e palestinezëve.
Edhe bashkësia ndërkombëtare, që prej vitit 1948, ka bërë përpjekje për zgjidhjen e çështjes palestineze, si dhe dhënies fund të konfliktit palestinezo-izraelit, por deri ë tani nuk ka pasur sukses. Siç është parë deri më tani, problem mbeten kufijtë e shtetit të ri palestinez dhe qyteti i Jerusalemit së bashku më Xhamin El-Aksa. Si izraelitët, ashtu dhe palestinezët, synojnë që shteti i tyre ta këtë për kryeqytetet pikërisht Jerusalemin. Në këtë qytet gjithashtu ndodhen edhe dy objektet e shenjta të dy komuniteteve.
Plani i OKB-së
Në vitin 1947, një vit përpara se ta shpallnin pavarësinë të dyja shtetet, Organizata e porsakrijuar e Kombeve të Bashkuara kishte hartuar një plan për ndarjen e territorit palestinez në dy shtete: Izraelin dhe Palestinën, ndërkohë që Jerusalemi, i cili do ishte i rrethuar nga shteti palestinez, do të ishte “Qyteti Ndërkombëtar i Lirë”, pra me një status sui generis, të mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Nëse ky territor do të ishte sot, Palestina do të ishte 70 për qind më e madhe dhe Izraeli 40 për qind më i vogël. Propozimi përcaktonte se shteti izraelit do të përmbante territore të populluara 55 për qind nga hebrenj dhe 45 për qind nga arabë, ndërsa territori i Palestinës ishte i populluar 98 për qind nga arabë. Jerusalemi kishte shumicë arabe dhe minoritet të fortë hebre.
Plani nuk u pranua nga forcat arabe, të cilat deklaruan luftë mbi shtetin e saposhpallur izraelit. Sipas tyre, hebrenjtë ishin vetëm një minoritet dhe nuk mund të kishin territor të banuar në masë 45 për qind nga arabët. Kështu, në vitin 1948 nisi lufta e parë, që vendosi vulën për shtetin e Izraelit.
Marrëveshja e Oslos
Marrëveshja e Oslos ka karakter të përkohshëm deri në krijimin e shtetit palestinez. Në të u përcaktua se çështja e Jerusalemit Lindor, e refugjatëve dhe e kolonëve izraelitë do të përcaktohej në një kohë tjetër. Por, marrëveshja e krijoi Autoritetin Kombëtar Palestinez si një etnitet josovran, që do të shërbejë në territorin e Bregut Perëndimor dhe Gazës derisa të piqen kushtet për krijimin e Palestinës. Bregu Perëndimor u nda në tri zona: 42 për qind e territorit do të kontrollohej tërësisht nga AKP-ja, 20 për qind do të kontrollohej nga AKP-ja, por siguria do të mbahej nga forcat izraelite, ndërsa pjesa tjetër do të kontrollohej tërësisht nga Izraeli, me përjashtim të shtetasve palestinezë.
Përfundim
Për zgjidhjen e çështjes palestineze, në përgjithësi, dhe qytetit të Jerusalemit, në veçanti, janë mbajtur më dhjetëra takime ndërkombëtare me prezencën e autoriteteve palestineze dhe atyre të Izraelit. Në këto takime janë hartuar disa plane dhe marrëveshje, të cilat fatkeqësisht kanë mbetur vetëm në letër dhe kanë mbetur të pazbatueshme në terren, ndërsa konfliktet ndërmjet palestinezeve dhe ushtrisë izraelite vazhdojnë. Këto konflikte vazhdojnë të sjellin një numër të madh viktimash, të cilat më së shtrenjti i paguajnë popullsia e paarmatosur palestineze, sidomos ajo e Jerusalemit.