Zamaleku nuk do të luajë derisa koronavirusi të zhduket

21

Lojtarët e skuadrës së Premier Leagues të Egjiptit, Zamalek nuk kanë pranuar të rifillojnë stërvitjet dhe të kthehen për të përfunduar sezonin aktual, përveç nëse “gjendet një kurë për koronavirusin”, kanë njoftuar të enjten mediumet e huaja. Aktivitetet e futbollit në Egjipt do të kthehen më 25 korrik, pasi qeveria lejoi ekipet të rifillojnë stërvitjet këtë muaj – përkundër përhapjes në rritje të virusit në Egjipt, me më shumë se 66 mijë raste të konfirmuara. Refuzimi i Zamalekut për të rifilluar sezonin aktual vjen pasi portieri i ekipit, Mohamed Awad zbuloi se ai kishte rezultuar pozitiv me koronavirus pas testit që e kishte bërë më 26 qershor. Kapiteni i klubit, Hazem Emam tashmë ka lëshuar një deklaratë për të njoftuar se Zamaleku nuk e ka ndërmend të vazhdojë garat në ligë.

“Ne nuk do të dalim në fushë para se koronavirusi të mos zhduket dhe të gjendet një kurë për të. Askush nuk mund të na detyrojë të rrezikojmë jetën tonë, veçanërisht pasi shoku ynë i skuadrës, Mohamed Awad doli pozitiv”, thuhet në njoftimin e kapitenit Emam. “Unë dua t’ju informoj se si kapiten i ekipit, shokët e mi të skuadrës nuk do të sakrifikojnë jetën e tyre dhe të anëtarëve të familjes vetëm për të rifilluar ligën dhe u lutem klubit rival Al Ahly dhe njerëzve të tjerë që të na mbështesin”.

Në të vërtetë, Zamaleku nuk ndien asnjë detyrim të vazhdojë sezonin aktual, pasi rivalët kryesorë, Al Ahly, duken të destinuar për t’u shpallur kampion. Zamaleku nuk ka gjasa të fitojë titullin edhe pse deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe 18 xhiro të pazhvilluara. Krahas Zamalekut, edhe dy klube të tjera të Egjiptit, Ismaily dhe Al Masry gjithashtu kanë refuzuar publikisht të rifillojnë garat për shkak të situatës së koronavirusit. Al Ahly, megjithatë, po insistojnë që garat të rifillojnë. Deri më tash, ka më shumë se 22 raste të futbollistëve që kanë rezultuar pozitivë pas testeve që i kanë bërë në prag të rifillimit të stërvitjeve, përkatësisht garave. Madje, kapiteni i Zamalekut paralajmëroi se këtë çështje do ta dërgojë deri te presidenti i vendit, Abdel Fattah Al-Sisi nëse rinisin garat.

“Lojtarët tanë janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që duhet vetëm për të mos rifilluar me garat. Nëse është e nevojshme, ne do të kërkojmë takim edhe me presidentin për t’i shpjeguar atij se Federata e Futbollit e Egjiptit po rrezikon jetët tona, vetëm për të kënaqur një klub të caktuar”, shtoi ai.

Edhe presidenti i Zamalekut, Mortada Mansour njoftoi gjithashtu tërheqjen e klubit të tij nga Premier League e Egjiptit nëse vazhdohen garat. Dhe, këtë vendim thotë se e ka marrë pas këshillave me trajnerin e ekipit të parë, Patrice Cateron. Zamaleku është një prej ekipeve më të suksesshme të Egjiptit, me që tituj kampioni dhe 27 kupa të fituara. Pas këtyre reagimeve, mbetet e paqartë edhe pjesëmarrja e Zamalekut në Ligën e Kampionëve të Afrikës, pasi në gjysmëfinale të kësaj gare do të përballen me Raja Casablanca të Marokut.

Comments are closed.