Fisnik NUHIU
Shkup, 5 dhjetor – Shkëndija e Tetovës në takimin e radhës, të shtunën si mysafire e Borecit hapë javën e 15 në Ligën e Parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë në këtë përballje futen për të marrë fitoren e radhës që do të vazhdonin me serinë pozitive të rezultateve. Ekipi tetovar nga 14 xhirot e luajtura deri më tani nuk ka regjistruar asnjë humbje duke shënuar 8 fitore dhe në 6 takimet ka barazuar. Kështu që sot (e shtunë) të udhëhequr e trajnerit Ernes Gjoka do të kërkojnë fitoren e nëntë në kampionat që do ti mbante edhe më tej në pozitën e parë në tabelë.
“Kemi fituar 5:0 ekipin e Makedonija Gj.P në një derbi për vendin e parë, ajo paraqitje ajo përformancë na ka dhënë vetëbesim se ne shpejtë mund të kthehemi në nivelin e duhur. Në fakt jemi skuadra e vetme pa u mundur në kampionat, dhe fitore si kjo e fundit vetëm na shtojnë dëshirën bindjen dhe përcaktimin tonë për të vazhduar me fitore. Boreci është skuadër mjaftë e papërshtatshme posaçërisht në ndeshjet si vendas, ku e dimë që terren sintetik po sjellë vështirësi shtesë për çdo kundërshtarë, por ne shkojmë për të dhënë më të mirën që të dalim me tri pikë nga kjo përballje”, deklaroi portieri i kuqezinjve, Kostadin Zahov.
Pesë përballjet tjera do të zhvillohen të dielën, ndërsa derbi i kësaj jave do të luhet mes ekipit të Pelisterit dhe FC Shkupit. Skuadra nga Çairi, pas fitores në mesjavë ndaj Bellasicës (3:1) të dielën në Manastir do të udhëton për një tjetër rezultat pozitiv. Mbrojtësi i FC Shkupit, Filip Gligorov ka theksuar se takimi ndaj Pelisterit do të jetë i vështirë, mirëpo se në Manastir do të udhëtojnë për një tjetër rezultat pozitiv.
“Të dielën na pret një ndeshje mjaft e vështirë në Manastir. Pelisteri nuk është ekip për tu nënvlerësuar, ndërsa ne duhet të japim maksimumin nëse dëshirojmë që ti fitojmë tri pikët. U jemi rikthyer fitoreve pas ndeshjes me Bellasicën dhe shpresoj që të dielën do të kthehemi në Shkup me pikë të plota nga Manastiri”, theksoi Filip Gligorov.
Në përballjet tjera që do të luhen të dielën, ekipi i Renovës nën drejtimin e trajnerit Qatip Osmani do të kërkon fitoren e tretë me radhë. Xhepçishtasit të dilën në shtëpi do të presin ekipin e Sileksit. Në arenën Todor Proeski do të luhet derbi lokal ku do të përballen Vardari dhe Rabotniçki, Bellasica do të jetë nikoqire e Makedonija GJ.P, ndërsa ekipi strugan, Struga Trim Lum takohet me Akademija Pandevin.