Shkup, 26 korrik – Ekipi i Struga Trim Lum ishte shumë afër që të merrte tri pikët në udhëtim te Pelisteri në kuadër të javës së dhjetë në Ligën e Parë. Struganët pësuan gol në minutat e fundit të takimit, edhe pse kishin avantazh prej 1:0 dhe ishin dukshëm kundërshtarë më i mirë se skuadra vendase. Golin e parë të takimit e shënoi Nijas Lena në minutën e 77 të përballjen, ndërsa nikoqirët barazuan në minutën e 91.
Të përzgjedhurit e Srgjan Zaharievskit në këtë përballje arritën të shënojnë edhe dy golat por të njëjtën u anuluan nga gjyqtari kryesor. Kështu trajneri Zaharievski ka theksuar se edhe në Maqedoni duhet që sa më shpejtë të mendohet për të vendosur teknologjinë VAR, pasi shumë ekipe po dalin të dëmtuara nga gabimet e gjyqtarëve. Sipas tij Struga Trim Lum këtë edicion është dëmtuar në disa ndeshje, ndërsa me aplikimin e sistemit VAR, skuadra e tij me siguri do të ishte disa pozita më lartë.
“Nuk është kjo hera e parë ti humbasim pikët në minutën e fundit. Një gjë e tillë po na ndodh tashmë në tre ndeshje. Ne në çdo ndeshje luajmë për fitore, gjithkund luajmë 90 minuta. Sinqerisht dua ti shoh rastet diskutabile, që ndaj Pelisterit i kishte me shumicë. Nëse dëshmohet ashtu siç pretendojmë neve, mendoj se tabela e klasifikimit do të ndryshonte në mënyrë drastike. Është koha që të ndërmerret diçka, ndoshta edhe VAR teknologjia, kështu futbolli ynë nuk shkon askund”, është shprehur trajneri i Struga Trim Lum, Srgjan Zaharievski.
Struga Trim Lum pas 10 xhirove të para renditet në pozitën e pestë me 15 pikë. Kundërshtarë i radhës i struganëve do të jetë Vardari, ndeshje kjo që në program është me datë 1 nëntor.
Nga ana tjetër ekipi i Shkëndijës ka lëshuar dy pikë në terren vendas, teksa ka barazuar 1:1 përballë Rabotniçkit. Edhe pse kuqezinjtë ishin më të mirë në fushë nuk arritën që të marrin tri pikët. Golin për Shkëndijën e shënoi Besart Ibraimi në minutën e 16 të takimit, ndërsa mysafirët arritën të barazojnë shifrat në minutën e 51 në anë të Luka Stankovskit. Barazimi i tretë në pesë ndeshje të luajtura si vendas shqetëson trajnerin Ernest Gjoka, që vlerëson paraqitjen, por shton se shpërdorimi i shanseve na kushtoi humbje të dy pikëve.
“Ishte një ndeshje relativisht jo e mirë në sensin që nuk morëm tri pikët, kurse nga pjesa tjetër them që kemi krijuar shumë volum, kemi patur shumë raste të cilët i kemi shpërdoruar shumë dhe mendoj se këto janë ndeshje delikatë që në çdo moment duhet të jemi të përqendruar. Është për të ardhur keq, pasi kundërshtari të vjen dy tre herë te porta dhe nga këto dy tre herë mundohen të sajojnë një gol që duhet të ishim akoma më të përqendruar. Por gjithsesi kampionati vazhdon dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të ecur përpara”, theksoi Ernest Gjoka.
Në përballjet tjera, Renova me Vardarin zhvilluan një ndeshjen më interesante të luajtur në arenën “Todor Proeski” që u mbyll me 6 gola dhe barazim 3:3. Vardari ishte në epërsi gjithë lojën, ndërsa skuadra tetovare barazoi në fund shifrat për të marrë një pikë nga ky duel. Miçevski, Popzllatanov dhe Petkovski realizuan për Vardarin, ndërsa për Renovën gjetën rrjetën Selmani, Velija dhe Jasharoski.
Ndërkohë në duelet tjera, Makedonija Gjorçe Petrovi fitoi Akademia Pandevin me rezultat 3:1, ndërsa takimi Bellasica – Boreci u mbyll me barazim 2:2. (koha.mk)